TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Me urdhër që t’i raportojë drejtpërdrejt atij, Donald Trump dërgon në Minesota “carin e kufijve”, Tom Homan, pas zemërimit publik të shkaktuar nga vrasja e dytë e një qytetari amerikan nga agjentë të policisë së emigracionit (ICE), të shtunën në Mineapolis.
“Tom është i ashpër, por i drejtë”, shkroi presidenti amerikan në rrjetet sociale.
Nga ana e saj, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi në një postim në platformën X se Homan do të ketë në dorë menaxhimin e operacioneve të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) në këtë shtet.
Të shtënat fatale ndaj Alex Pretti, një infermier amerikan 37-vjeçar, shënuan incidentin e dytë vdekjeprurës këtë janar në Mineapolis ku janë përfshirë agjentë federalë. Ngjarja ka ndezur protesta të reja në qytet, i cili prej javësh tronditet nga demonstrata kundër operacioneve të ICE-s.
Vdekja e tij përshkallëzon edhe më tej situatën tashmë të tensionuar, pas vrasjes së Renee Good, një shtetase amerikane që u qëllua për vdekje më 7 janar brenda makinës së saj nga një agjent i ICE-s.
Të dielën, Trump i tha gazetës Wall Street Journal se administrata e tij po rishikon rastin e fundit dhe la të kuptohet se mund të tërheqë përfundimisht oficerët e emigracionit nga zona e Mineapolisit.
“Në një moment do të largohemi. Ne kemi bërë – ata kanë bërë – një punë të jashtëzakonshme”, u shpreh Trump, pa dhënë një afat konkret.