BOTA, 22 Maj 2026, 21:55

Zelensky: Ukraina në pozitë më të fortë pas sulmeve të fundit, thellohet koordinimi me aleatët europianë

Zelensky: Ukraina në pozitë më të fortë pas sulmeve

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Gjermania, Britania e Madhe dhe France e konsiderojnë Ukrainën në një pozitë dukshëm më të fortë pas sulmeve të fundit të suksesshme kundër objektivave ruse.

“Fokusi kryesor ishte mënyra se si mund të rigjallërohet diplomacia për paqe dhe si Europa të jetë pjesë e saj”, shkroi Zelensky në rrjetin social X pas një video-konference me kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

“Sipas të gjithë partnerëve, pozicioni i Ukrainës është dukshëm më i fortë , si në fushën e betejës, ashtu edhe në operacionet tona me rreze të gjatë veprimi”, shtoi ai.

Zelensky iu referua sulmeve me dronë me rreze të gjatë që kanë goditur objektiva thellë brenda territorit rus, përfshirë infrastrukturën e industrisë së naftës, e cila konsiderohet jetike për financimin e përpjekjeve ushtarake të Kremlinit.

Presidenti ukrainas publikon shpesh në rrjetet sociale pamje të objekteve të përfshira nga flakët për të theksuar rritjen e kapaciteteve sulmuese të Ukrainës me dronë, ndërsa Moska këmbëngul se situata mbetet nën kontroll.

Sipas Zelenskyt, gjatë bisedës u diskutua gjithashtu koordinimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u ra dakord që këshilltarët e sigurisë kombëtare të vendeve përkatëse të zhvillojnë së shpejti një takim.

Pa dhënë detaje të mëtejshme, ai tha se i kishte informuar liderët evropianë edhe mbi planet e Rusisë në lidhje me Ukrainën, Bjelorusinë  dhe pjesë të tjera të Evropës.

Palët ranë dakord të shkëmbejnë informacione më të detajuara në nivel shërbimesh inteligjente.

“Po bëjmë gjithçka për të siguruar paqe të vërtetë”, theksoi Zelensky.

Ukraina, me mbështetjen e vendeve perëndimore, po përballet me pushtimin rus që prej shkurtit të vitit 2022.