BOTA, 11 Janar 2026, 14:10

U akuzua për lidhje të ngushta me Jeffrey Epstein, ish-ambasadori britanik kërkon falje dhe mohon përgjegjësinë personale

U akuzua për lidhje të ngushta me Jeffrey Epstein, ish-ambasadori

Ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, ka kërkuar falje publike ndaj personave të Jeffrey Epstein që ranë pre e abuzimeve seksuale të tij, ndërsa ka theksuar se nuk mban përgjegjësi personale për veprimet e tij.

Mandelson, i cili u shkarkua nga detyra në shtator të vitit të kaluar pas publikimit të disa email-eve që zbuluan lidhje më të ngushta sesa ishte pranuar më parë me Epstein, tha se i vjen keq për një sistem që, sipas tij, dështoi të dëgjonte dhe të mbronte personat të cilët ranë pre e abuzimeve seksuale. Ai shtoi se nuk do të kërkonte falje për marrëdhënien e tij personale me Epstein, përveçse në rast se do të kishte qenë në dijeni të abuzimeve apo bashkëpunëtor në to.

Politikani veteran britanik pranoi se e kishte quajtur Epstein “shokun tim më të mirë” dhe se e kishte këshilluar atë të kërkonte lirim të parakohshëm nga burgu, por theksoi se ishte mashtruar nga versioni i Epstein dhe i avokatëve të tij, sipas të cilit ai ishte dënuar padrejtësisht.

“Tani do të doja të mos e kisha besuar atë histori”, deklaroi Mandelson.

Qeveria britanike, në kohën e shkarkimit, vlerësoi se thellësia e lidhjeve të Mandelson me Epstein ishte “shumë e ndryshme” nga ajo që dihej në momentin e emërimit të tij. Më pas, Christian Turner u emërua si ambasadori i ri i Britanisë në SHBA, në një periudhë të rëndësishme për marrëdhëniet transatlantike.

Në intervistë, Mandelson e përshkroi Epstein si një “përbindësh të lig” dhe mohoi kategorikisht se do të kishte qëndruar indiferent nëse do të kishte ditur për abuzimet. Ai shtoi gjithashtu se, si një burrë homoseksual brenda rrethit shoqëror të Epstein, besonte se ishte mbajtur i ndarë nga aspektet seksuale të jetës së tij kriminale.