TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar ultimatum ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Uashingtoni do të ndërmarrë sulme ndaj infrastrukturës energjetike nëse Teherani nuk rihap Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh.
Në një postim në Truth Social, Trump u shpreh: “Nëse Irani nuk e hap PLOTËSISHT, PA KËRCËNIME, Ngushticën e Hormuzit brenda 48 ORËSH nga ky moment, SHBA do të godasë dhe shkatërrojë centralet e tyre të energjisë, duke nisur nga më i madhi”.
Postimi u publikua mbrëmjen e së shtunës (ora 19:44 sipas kohës lindore amerikane), çka do të thotë se afati i vendosur nga presidenti amerikan përfundon të hënën në të njëjtën orë (03:14 të mëngjesit të së martës në Teheran).
Ky reagim shënon një përshkallëzim të ndjeshëm të retorikës nga ana e Trump, i cili më herët kishte paralajmëruar për mundësinë e goditjes së infrastrukturës iraniane, por kishte theksuar edhe pasojat që kjo do të kishte për rimëkëmbjen e vendit.
Në të njëjtën kohë, deklarata nënvizon rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, mbyllja e së cilës i jep Iranit një avantazh të madh në skenën ndërkombëtare.
Kërcënimi vjen vetëm një ditë pasi Trump deklaroi se SHBA po shqyrton uljen graduale të angazhimit ushtarak në Lindjen e Mesme, ndërsa për çështjen e Hormuzit u shpreh se “në një moment, ajo do të hapet vetë”.
Po ashtu, pak ditë më parë ai kishte bërë të ditur se i kishte kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të ndalonte sulmet ndaj objekteve iraniane të naftës dhe gazit.
Ndërkohë, rritja e çmimeve të karburanteve në SHBA ka shtuar presionin mbi administratën amerikane, e cila po përpiqet të shmangë një mbyllje afatgjatë të kësaj rruge kyçe detare. Sipas CNN, zyrtarët amerikanë e pranojnë se rihapja e plotë e Ngushticës mbetet një sfidë pa një zgjidhje të qartë.