TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë nisur “procesin e zhbllokimit” të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare strategjike që, sipas tij, është bllokuar nga Irani.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump u shpreh se ky veprim po ndërmerret si “një favor” për disa vende të mëdha të botës, përfshirë Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, Francën dhe Gjermaninë.
Ai kritikoi këto shtete, duke thënë se “nuk kanë guximin apo vullnetin” për të garantuar vetë sigurinë e kësaj rruge jetike për tregtinë globale dhe transportin e naftës.
Sipas tij, ndërhyrja amerikane synon të rikthejë besimin e anijeve tregtare për të kaluar sërish përmes ngushticës.
Ndërkohë, “Axios”, duke cituar një zyrtar amerikan, raporton se disa anije të marinës amerikane kanë kaluar tashmë nëpër Ngushticën e Hormuzit, në një veprim që synon të inkurajojë rifillimin e lundrimit tregtar në zonë.
Megjithatë, një zyrtar i lartë ushtarak iranian, i cituar nga televizioni shtetëror, ka mohuar këto raportime, duke vënë në dyshim praninë dhe veprimet e forcave amerikane në këtë hapësirë detare.
Trump ka kritikuar gjithashtu mediat, të cilat sipas tij raportojnë se Irani po fiton përballë SHBA-së, duke deklaruar se “në realitet ata po humbasin dhe po humbasin rëndë”. Ai pranoi megjithatë se ekziston rreziku që anijet të goditen nga mina detare në zonë.
Situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar dhe e pasigurt, ndërsa trafiku detar vijon të jetë i kufizuar që prej përshkallëzimit të konfliktit.