BOTA, 15 Maj 2026, 22:56

Trump paralajmëron Tajvanin: Mos flisni për pavarësi, nuk dua luftë! Dua që gjërat të qetësohen

Trump paralajmëron Tajvanin: Mos flisni për pavarësi, nuk dua

Presidenti amerikan, Donald Trump paralajmëroi sot Tajvanin, që të mos shpallë zyrtarisht pavarësinë nga Kina, vetëm pak orë pas takimit dyditor në Pekim, me presidentin kinez Xi Jinping.

Në një intervistë për “Fox News”, Trump deklaroi se politika amerikane ndaj ishullit nuk ka ndryshuar dhe theksoi se Uashingtoni nuk mbështet një shpallje të njëanshme të pavarësisë nga Tajvani.

“Nuk dua që Tajvani të shpallë pavarësinë nga Kina. Dua që situata të qetësohet, dua që Kina të qetësohet”, tha ai.

Trump shtoi se gjatë bisedimeve me Xi, çështja e Tajvanit ishte një nga temat kryesore.

Sipas tij, lideri kinez e konsideron ishullin çështjen më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe është kundër çdo lëvizjeje drejt pavarësisë.

Xi paralajmëroi se keqmenaxhimi i kësaj çështjeje mund të çonte në përplasje apo edhe konflikt mes dy fuqive.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ruajtur prej dekadash një politikë të balancuar – duke njohur vetëm një qeveri kineze, por njëkohësisht janë të detyruara me ligj të ndihmojnë Tajvanin për vetëmbrojtje.

Në fund të vitit të kaluar, administrata Trump njoftoi një paketë armësh me vlerë 11 miliardë dollarë për Tajvanin, përfshirë sisteme raketore të avancuara, vendim që u dënua ashpër nga Pekini.

Trump tha se ende nuk ka vendosur nëse kjo marrëveshje do të finalizohet dhe se më parë do të konsultohet me presidentin tajvanez, Lai Ching-te.

“Mund ta bëj, mund të mos e bëj”, u shpreh ai, duke theksuar se SHBA-ja nuk kërkon luftë dhe se ruajtja e status quo-së është mënyra më e mirë për të shmangur tensionet.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Tajvanit, Lin Chia-lung, deklaroi se qeveria e Taipeit po ndjek nga afër zhvillimet e samitit SHBA-Kinë dhe po mban kontakte të ngushta me Uashingtonin dhe partnerë të tjerë.

Ai akuzoi Pekinin për rritjen e tensioneve në rajon përmes veprimeve ushtarake dhe presionit politik ndaj ishullit.