BOTA, 9 Dhjetor 2025, 13:58

Trump sulmon Evropën: Udhëheqës të dobët, s'dinë çfarë të bëjnë. Kievi po përdor luftën për të shmangur zgjedhjet. Po humbasin territor

Trump sulmon Evropën: Udhëheqës të dobët,

Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar sërish ashpër udhëheqësit europianë, duke i cilësuar “liderë të dobët” që, sipas tij, “nuk kanë asnjë plan dhe nuk dinë çfarë bëjnë” në raport me situatën në Ukrainë.

Në intervistën për Politico, Trump është shprehur se vendet e BE-së “po e menaxhojnë gabim konfliktin” dhe ka kërkuar që Ukraina të zhvillojë zgjedhje, duke argumentuar se në një kohë lufte “populli duhet të vendosë drejtimin e vendit”.

Sipas tij, europianët janë “të paaftë të marrin vendime strategjike”, ndërsa SHBA  sipas asaj që pretendon Trump “ka mbajtur mbi shpinë gjithë barrën e konfliktit”.

Në intervistën për POLITICO, Trump foli me ton nënçmues për aleatët tradicionalë të SHBA-së , pasi sipas tij ata kanë dështuar në kontrollin e migracionit dhe në përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.

Sakaq ai theksoi se do të mbështeste kandidatët politikë evropianë të përafruar me vizionin e tij për kontinentin.

“Mendoj se janë të dobët”, tha Trump për udhëheqësit politikë të Evropës.

“Por mendoj gjithashtu se ata duan të jenë shumë politikisht korrektë. Mendoj se ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë”, tha Trump.

Trump vijon të japë sinjale se sipas tij problemi qëndron tek evropianët për ngecjen në negociata. Presidenti amerikan sheh te aleatët e vet pengesën për paqen, në vend të personit që ka urdhëruar agresionin dhe pushtimin e paligjshëm të vendit fqinj.  Ai shpërndau një Truth Social një artikull të Neë York Post me titullin: “Evropianët e pafuqishëm nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të zemërohen që Trump me të drejtë i përjashton nga marrëveshja me Ukrainën”.

Teksti argumenton se bllokimi i marrëveshjes nga Kontinenti i Vjetër është një "dhuratë" për Putinin. "Të rriturit negociuan këtë propozim për Ukrainën duke i injoruar evropianët. Sigurisht që evropianët ndihen të përulur; SHBA dhe Rusia po formësojnë të ardhmen e Evropës pa i konsultuar. Por nëse sillesh si fëmijë, do të trajtohesh si i tillë”, thotë artikulli i shpërndarë nga Trump. 

Lideri i Shtëpisë së Bardhë e shënjestroi Evropën edhe në një intervistë për Politico, duke e cilësuar si një grup kombesh "në proces kalbjeje" të udhëhequra nga njerëz të dobët. 

"Mendoj se janë të dobët. Por mendoj gjithashtu se ata duan të jenë shumë politikisht korrektë. Mendoj se ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë", u shpreh Trump. 

Ai shtoi se nuk ka shumë pritshmëri nga roli i BE-së në përpjekjet për paqe në Ukrainë, duke theksuar se “Evropa flet, por nuk prodhon asgjë, ndërsa lufta vazhdon”.

Shënjestroi gjithashtu edhe Kievin, teksa tha se po përdor luftën për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve.

“Mendoj se është një moment i rëndësishëm për të mbajtur zgjedhje. Ata po përdorin luftën për të shmangur zgjedhjet, por mendoj se populli ukrainas duhet ta ketë këtë zgjedhje. Dhe ndoshta Zelensky do të fitonte. Nuk e di kush do të fitonte. Por ata nuk kanë pasur zgjedhje për një kohë të gjatë. Ata flasin për demokracinë, por arrin në një pikë ku nuk është më demokraci."

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po i kërkon Volodymyr Zelenskyt të pranojë situatën dhe faktin se Ukraina po e humbet luftën. Në një intervistë me Politico, kur u pyet për mundësinë që Zelensky ta refuzojë marrëveshjen e paqes, Trump deklaroi se presidenti ukrainas "duhet të ndërmarrë hapa dhe të fillojë të pranojë gjërat" sepse ai po e humb konfliktin. 

"Ata humbën territor shumë kohë para se unë të vija këtu. Ata humbën një brez të tërë bregdetar, një brez të madh bregdetar. Kam qenë këtu 10 muaj, por nëse kthehesh 10 muaj prapa dhe shikon, ata e humbën të gjithë atë brez. Tani është një brez më i madh, një brez më i gjerë. Por ata humbën shumë territor, dhe territor të mirë gjithashtu. Sigurisht që nuk mund ta quash fitore", përfundoi ai.

Më herët, Zelensky tha për gazetarët se propozimet për paqe po finalizohen dhe do t'i dërgohen Shteteve të Bashkuara sot. Udhëheqësi ukrainas shtoi se plani fillestar i paqes prej 28 pikash i Trump, i kritikuar për favorizimin e Rusisë, është reduktuar në 20 pika.

Një ditë më parë Zelensky zhvilloi në Londër një raund bisedimesh të rëndësishme me kryeministrin britanik Keir Starmer, homologun francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, për të diskutuar versionin e planit të paqes, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.