BOTA, 11 Mars 2026, 18:18

Trump: Nuk besoj se Irani ka arritur të vendosë mina në Ngushticën e Hormuzit, kalimi i anijeve është i sigurt

Trump: Nuk besoj se Irani ka arritur të vendosë mina në

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se nuk beson që Irani ka arritur të vendosë mina detare në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se forcat amerikane kanë shkatërruar pothuajse të gjitha anijet iraniane të përdorura për vendosjen e minave.

“Ne shkatërruam pothuajse të gjitha anijet e tyre të minimit brenda një nate”, tha Trump, duke lënë të kuptohet se mund të jenë goditur deri në 60 mjete lundruese iraniane. “Pothuajse e gjithë marina e tyre është shkatërruar”, shtoi ai.

Trump u bëri gjithashtu thirrje anijeve cisternë të naftës që të vazhdojnë të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke insistuar se kalimi mbetet i sigurt, pavarësisht sulmeve ndaj tre anijeve që ndodhën më herët gjatë ditës në këtë zonë detare. Irani ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj të paktën dy prej këtyre anijeve.

“Besoj se duhet ta përdorin ngushticën”, u përgjigj Trump kur u pyet nëse anijet duhet të vazhdojnë të kalojnë përmes saj.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan paralajmëroi Teheranin se SHBA mund t’i shkaktojë dëme të tjera serioze infrastrukturës iraniane, duke lënë të kuptohet se disa objektiva mund të “neutralizohen edhe brenda një ore”.

I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë se çfarë tjetër duhet bërë në planin ushtarak për t’i dhënë fund luftës me Iranin, Trump u përgjigj: “Më shumë nga e njëjta gjë”.

Ai theksoi humbjet që, sipas tij, Irani ka pësuar në marinë, aviacion, sistemet kundërajrore dhe në strukturën e drejtimit ushtarak.

“Po lëmë disa gjëra të paprekura, por nëse do t’i godisnim – gjë që mund ta bënim edhe sot pasdite, në fakt brenda një ore – ata nuk do të mund ta rindërtonin kurrë këtë vend”, u shpreh Trump.

Më vonë, ai vlerësoi operacionin e përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe paralajmëroi se do të pasojnë edhe sulme të tjera.

“I kemi goditur më fort se pothuajse çdo vend tjetër në histori, dhe ende nuk kemi përfunduar”, deklaroi presidenti amerikan.