TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim të ri tronditës lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në ish-Jugosllavi, me fokus te një grup shtetasish italianë që dyshohet se paguanin shuma të mëdha parash për t’u bashkuar me snajperët serbë dhe për të qëlluar kundër civilëve në Sarajevën e rrethuar, “për argëtim”.
Sipas të përditshmeve italiane Il Giorno dhe La Repubblica, si dhe raportimeve të mëhershme të Il Giornale, hetimi synon të identifikojë personat që morën pjesë në masakrën ku, nga viti 1993 deri në 1995, u vranë mbi 11 mijë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë.
Akuza për vrasje me paramendim dhe motive çnjerëzore
Dosja, e hapur nga prokurori Alessandro Gobbis, është regjistruar për veprën penale të vrasjes me dashje, të rënduar nga mizoria dhe motivet e ultë, dhe aktualisht është ndaj personave ende të paidentifikuar. Procedimi penal buron nga një kallëzim i paraqitur nga gazetari dhe shkrimtari Ezio Gavazzeni, i mbështetur nga dy avokatë dhe ish-magjistrati Guido Salvini, i njohur për hetimet historike mbi masakrat e së djathtës ekstreme në Itali.
“Snajperët e fundjavës”: Nga veriu i Italisë drejt maleve të Sarajevës
Sipas dëshmive të mbledhura, personat e përfshirë, kryesisht individë me bindje ekstremiste të djathta dhe adhurues të armëve mblidheshin në Trieste, prej nga transportoheshin në zonat malore përreth Sarajevës së rrethuar. Pasi paguanin militantët serbo-boshnjakë të Radovan Karadzic, atyre u jepej mundësia të qëllonin me snajper ndaj civilëve të qytetit të bllokuar.
Në dokumentacionin e dorëzuar Prokurorisë së Milanos ndodhet edhe një raport i ish-kryetares së Sarajevës, Benjamina Karić, e cila i referohet këtyre individëve si “të huaj të pasur, të etur për akte çnjerëzore”.
Një hetim që mund të hapë plagë të vjetra
Nëse akuzat konfirmohen, Prokuroria e Milanos do të jetë ndër organet e rralla europiane që heton drejtpërdrejt shtetasit e vet për pjesëmarrje në krime lufte në Ballkan. Rasti pritet të sjellë zhvillime të ndjeshme ligjore dhe politike, duke rihapur debatin mbi përgjegjësinë ndërkombëtare dhe përfshirjen e ekstremistëve europianë në luftërat e viteve ’90.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa autoritetet synojnë të verifikojnë identitetet, udhëtimet, pagesat dhe rolin e mundshëm të çdo personi të përfshirë në këtë veprimtari të rëndë kriminale.