BOTA, 8 Dhjetor 2025, 16:57

Tronditet Ekuadori/ 13 të burgosur gjenden të pajetë në burgun e Maçalës

Tronditet Ekuadori/ 13 të burgosur gjenden të pajetë në

Trembëdhjetë të burgosur u gjetën të vdekur në një burg në jugperëndim të Ekuadorit, ku së fundmi janë shënuar një numër i madh vrasjesh, njoftoi Shërbimi i Burgjeve SNAI.

Në total, 44 persona kanë humbur jetën në këtë burg vetëm brenda një muaji. Sipas SNAI-it, shkaqet e vdekjeve do të përcaktohen pas kryerjes së autopsisë.

Trupat u gjetën të dielën, më 7 dhjetor, nga efektivët e policisë që hynë në burgun e Maçalës pasi një mjet shpërthyes u aktivizua në zonën e jashtme të institucionit.

Rreth një muaj më parë, 31 persona u vranë në këtë burg, disa prej tyre të mbytur. Në fund të shtatorit, në përleshje të armatosura humbën jetën edhe 14 të tjerë.

Burgjet në Ekuador janë shndërruar në vatra të bandave rivale të trafikut të drogës. Nga përplasjet mes tyre, që prej vitit 2021, janë vrarë gati 500 persona. Në vitin 2024, burgjet u vunë nën kontrollin e ushtrisë, pasi presidenti Daniel Oboa shpalli gjendjen e konfliktit të armatosur kundër rreth 20 organizatave kriminale të lidhura me kartelet ndërkombëtare të drogës.

Megjithatë, në gushtin e kaluar, tetë prej këtyre bandave, përfshirë edhe atë që operon në Maçala, iu rikthyen juridiksionit të policisë.

Ngjarja më e rëndë në një institucion korrektues në vend u shënua në vitin 2021, kur mbi 100 të burgosur u vranë në një burg në Guajakil.