TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria e Ekuadorit ka vendosur më shumë se 75,000 policë dhe ushtarë në katër provinca ku dhuna e bandave është më intensive, konfirmoi ministria e brendshme e vendit.
Autoritetet madje kanë vendosur një shtetrrethim natën në ato zona.
“Jemi në luftë”, u tha Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Ryberg, banorëve të provincave El Oro, Guayas, Los Rios dhe Santo Domingo de los Chacillas.
“Mos merrni rreziqe, mos dilni, qëndroni në shtëpi”, shtoi ai.
BBC kujton se që nga marrja e detyrës në nëntor 2023, Presidenti Daniel Noboa është përpjekur të godasë dhunën e lidhur me drogën. Megjithatë, Ekuadori regjistroi një numër rekord vrasjesh në vitin 2025.
Që nga marrja e detyrës, Noboa është përpjekur të luftojë organizatat kriminale në vendin e tij me grusht të hekurt dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme disa herë, por shkalla e vrasjeve është rritur me më shumë se 30% midis viteve 2024 dhe 2025.
Ai gjithashtu është bashkuar me një aleancë prej 17 vendesh të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që synon luftimin e karteleve kriminale në Hemisferën Perëndimore.
Vendndodhja gjeografike e Ekuadorit, midis Kolumbisë dhe Perusë, prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë, e ka bërë atë një vend kyç tranziti për drogën e paligjshme.
Vlerësohet se rreth 70% e kokainës së prodhuar në Kolumbi dhe Peru transportohet përmes Ekuadorit .
Ndërkohë, javën e kaluar, FBI hapi zyrën e saj të parë në Ekuador, një veprim që erdhi menjëherë pasi të dy vendet filluan operacione të përbashkëta kundër drogës.
Noboa ishte midis udhëheqësve të Amerikës Latine që morën pjesë në një takim ndërkombëtar të organizuar nga Trump në Mar-a-Lago, të cilin zyrtarët amerikanë e quajtën samiti i “Mburojës së Amerikës”.
Atje, Trump i krahasoi bandat kriminale me “një kancer që nuk duam ta përhapim” dhe u bëri thirrje homologëve të tij të Amerikës Latine të përdorin forcën ushtarake për t’i zhdukur ato.