TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dy nga katër viktimat e përfshira në tragjedinë nënujore në zonën e Dhekunu Kandu, në Maldive, janë nxjerrë gjatë operacionit ndërkombëtar të kërkim-shpëtimit që po zhvillohet prej disa ditësh.
Operacioni u zhvillua mëngjesin e së martës nga ekipi i zhytësve teknikë dhe specialistëve të shpellave, i koordinuar nga Dan Europe, në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Mbrojtjes së Maldiveve, policinë lokale dhe autoritetet italiane të pranishme në Malé.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë misionit u realizua një tjetër zhytje e thellë brenda sistemit të shpellave nënujore, duke përdorur pajisje të avancuara si rebreather, skuterë nënujorë (DPV) dhe sisteme rezervë të mbështetjes jetike.
Ekipi finlandez i rikuperimit arriti të transportojë dy prej viktimave nga brendësia e shpellës deri në rreth 30 metra thellësi, ndërsa më pas ekipet maldiviane përfunduan transferimin e tyre deri në sipërfaqe.
Burime nga operacioni bëjnë me dije se ndërhyrja u përmbyll me sukses dhe pa incidente, ndërsa zhytësit specialistë përfunduan edhe fazën e gjatë të dekompresionit.
Autoritetet kanë paralajmëruar se, nëse kushtet atmosferike dhe detare do të jenë të favorshme, operacionet për nxjerrjen e dy viktimave të tjera do të vijojnë gjatë së mërkurës.
Për operacionin reagoi edhe CEO e Dan Europe, Laura Marroni, e cila vlerësoi bashkëpunimin mes ekipeve ndërkombëtare dhe autoriteteve vendase.
“Operacioni i sotëm kërkoi koordinim të madh, aftësi teknike dhe besim të ndërsjellë mes zhytësve dhe autoriteteve maldiviane. Jemi mirënjohës për profesionalizmin dhe humanizmin e treguar gjatë gjithë ndërhyrjes”, deklaroi ajo.