BOTA, 11 Prill 2026, 22:24

"Tensione e mosmarrëveshje", Financial Times zbardh detajet nga takimi SHBA-Iran

"Tensione e mosmarrëveshje", Financial Times zbardh detajet nga

Bota po ndjek me vëmendje zhvillimet në Pakistan, ku ka përfunduar faza e parë e bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme, në një klimë të shoqëruar me tensione dhe mosmarrëveshje të thella mes palëve.

Sipas burimeve pranë delegacioneve, pavarësisht përparimit në disa çështje, përfshirë sulmet izraelite në Liban dhe lirimin e aseteve iraniane, dallimet mes palëve mbeten të konsiderueshme.

Tensionet janë përqendruar kryesisht në çështjet strategjike, me Ngushticën e Hormuzit që vazhdon të jetë pika më e fortë e përplasjes në tryezën e negociatave. Pala iraniane ka akuzuar Uashingtonin për qëndrime dhe kërkesa të tepruara, të cilat sipas saj po e vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje.

Një burim pranë ekipit negociator të Teheranit i tha CNN se SHBA ka paraqitur “kërkesa të papranueshme” lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe çështje të tjera kyçe.

Edhe agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Mehr raportoi se pala amerikane ka vendosur “kërkesa të tepërta”, duke thelluar mosmarrëveshjet mes palëve.

Ndërkohë, “Financial Times”, duke cituar burime të besueshme, shkruan se çështja e kalimit detar mbetet një nga pikat më të kontestuara ashpër. Irani këmbëngul në ruajtjen e kontrollit të Ngushticës së Hormuzit dhe vendosjen e tarifave për anijet, ndërsa ka refuzuar propozimet për menaxhim të përbashkët, duke rritur më tej tensionet në bisedime.