BOTA, 11 Tetor 2023, 21:41

Të burgosurit mbajnë peng 10 roje

Të burgosurit mbajnë peng 10 roje

Të paktën 10 roje po mbahen peng nga të burgosurit në burgun më të madh të Paraguajit, konfirmoi policia në vendin e Amerikës së Jugut.

Të burgosurit filluan një trazirë në burgun Tacumbu në kryeqytetin, Asuncion, të martën pasdite.

Pamjet televizive treguan të burgosurit në çatinë e burgut duke hedhur gurë ndaj policisë.

Drejtori i burgut tha se anëtarët e një bande burgu të quajtur Rotela Clan qëndrojnë pas trazirave.

Gjithsesi numri i saktë i rojeve që ende mbahen peng është i paqartë.

Një zëdhënës i policisë tha se ishte “të paktën 10”, por në një video-telefonatë me një radio lokale të mërkurën në mëngjes, drejtori i burgut, Luis Esquivel, tha se ai dhe 21 roje ishin ende peng të rebelëve.

Duke qëndruar përpara stafit të tij me uniformë Esquivel shpjegoi se ai dhe rojet ishin mbajtur për 15 orë. Ai shtoi se ata po “trajtoheshin mirë”.

Sipas Esquivel, të burgosurit kanë bërë tre kërkesa në këmbim të lirimit të pengjeve: një garanci që policia nuk do të sulmojë burgun, një dokument të nënshkruar që garanton se nuk do të ketë hakmarrje për trazirat dhe një premtim për të shmangur mbipopullimin.

Mediat lokale kanë raportuar se kërkesa e fundit është një përpjekje e Klanit Rotela për të forcuar më tej ndikimin e tij në Tacumbu duke dërguar edhe më shumë anëtarë të tij tek ai, edhe pse burgu tashmë mban mijëra të burgosur më shumë sesa ishte projektuar.

Dhjetëra gra raportohet se ndodhen brenda burgut, por nuk është e qartë nëse mbahen kundër vullnetit të tyre ose nëse kanë qëndruar vullnetarisht me partnerët e tyre të burgosur kur shpërthyen trazirat gjatë orëve të vizitës.