TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Suedia do të blejë pajisje mbrojtëse me vlerë 3.5 miliardë korona (317 milionë euro), për mbrojtjen e saj kundër raketave, dronëve dhe avionëve luftarakë, njoftoi qeveria sot, (25 nëntor).
Dy miliardë korona (180 milionë euro) do të ndahen për blerjen e raketave ajër-ajër me rreze të shkurtër veprimi IRIS-T dhe 1.5 miliardë (140 milionë euro) për automjetet e përdorura për të vendosur këto raketa, thanë Forcat e Armatosura Suedeze në një deklaratë.
“Ky është një forcim i ndjeshëm i mbrojtjes sonë ajrore”, tha Ministri i Mbrojtjes Poul Jönsson, në një konferencë për shtyp në njësinë e mbrojtjes ajrore Halmstad në Suedinë jugore.
Këto pajisje do të përdoren për të “rrëzuar avionë luftarakë, raketa lundrimi dhe lloje të ndryshme të mjeteve ajrore pa pilot”, shtoi ai.
Grupi i sistemeve të mbrojtjes Saab njoftoi se ka marrë një porosi nga Administrata Suedeze e Materialeve të Mbrojtjes (FMV) për sensorë dhe softuer komande dhe kontrolli me vlerë 2.1 miliardë korona. Dërgesat do të zhvillohen midis viteve 2027 dhe 2028, tha grupi.
“Radari mund të zbulojë, për shembull, avionë pa pilot jo më të mëdhenj se një kuti qumështi, në një distancë prej më shumë se katër kilometrash”, shpjegoi ministri.
Suedia përshpejtoi rritjen e shpenzimeve të saj ushtarake pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe me anëtarësimin e saj në NATO në vitin 2024.
Pas Luftës së Ftohtë, vendi i kishte ulur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes, duke i përqendruar përpjekjet e tij ushtarake në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse. Megjithatë, ai ndryshoi qëndrim pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.
Suedia planifikon të ndajë 300 miliardë korona (27 miliardë euro) gjatë 10 viteve për shpenzimet e saj të mbrojtjes.