TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një grup vendesh europiane kanë thirrur ambasadorët iranianë për të dënuar dhunën e shtetit ndaj protestave që vazhdojnë në Iran.
Franca thirri sot ambasadorin iranian në Paris për të dënuar, sipas ministrit të Jashtëm Jean-Noël Barrot, “dhunën shtetërore që është ushtruar pa dallim ndaj protestuesve paqësorë”.
Për Barrot, shtypja e protestave që tronditën Iranin nga 28 dhjetori 2025 është “e papranueshme, e padurueshme dhe çnjerëzore”.
“Ky dënim është komunikuar tashmë ministrit iranian të Jashtëm dhe do ta përsëris tek ambasadori iranian në Francë, të cilin e thirra sot”, deklaroi ai, duke shtuar se “nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për ata që drejtojnë armët kundër protestuesve paqësorë”.
Edhe vende të tjera europiane, përfshirë Spanjën, Holandën, Finlandën, Portugalin dhe Belgjikën, njoftuan sot se ministritë e tyre të Jashtme kanë thirrur përfaqësuesit e Republikës Islamike të Iranit për të shprehur shqetësimin mbi dhunën kundër protestuesve.
Gjermania publikoi në X: “Veprimet barbare të regjimit iranian kundër popullit të tij janë tronditëse. Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë dhunën ndaj qytetarëve dhe të respektojë të drejtat e tyre. Ambasadori iranian u thirr sot në Ministrinë e Jashtme.”
Edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, deklaroi se ka thirrur ambasadorin iranian, sipas agjencisë Reuters.
Portugalia gjithashtu thirri sot ambasadorin iranian në Lisbonë për t’i bërë të ditur “dënimin e ashpër” ndaj “shtypjes së dhunshme të protestave” kundër regjimit të Teheranit.
“Po ashtu, në kuadër të koordinimit europian, Portugalia është gati të rrisë sanksionet ndaj Iranit”, njoftoi ministria e Jashtme në llogarinë e saj në X. Lisbonë kërkoi gjithashtu që të respektohen të drejtat e qytetarëve iranianë.
Ministri i Jashtëm Paulo Rangel tha se ka thirrur përfaqësuesin e diplomacisë iraniane “për t’i komunikuar me zë të fortë dënimin e ashpër, i përsëritur në ditët e fundit, për shtypjen e dhunshme të protestave”.
Ministrja e Jashtme e Britanisë, Yvette Cooper, kritikoi sot udhëheqjen e Iranit për “vrasjet e tmerrshme dhe të dhunshme” të protestuesve, duke thënë se Britania ka thirrur ambasadorin iranian për të theksuar seriozitetin e situatës.
“Mbretëria e Bashkuar dënon me fuqinë më të madhe vrasjet e tmerrshme të protestuesve iranianë dhe kërkon nga autoritetet iraniane të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të tyre”, deklaroi Cooper në Dhomën e Komunave.
Ajo shtoi se nënsekretari i Jashtëm për Lindjen e Mesme ka thirrur ambasadorin iranian në Mbretërinë e Bashkuar për të theksuar “seriozitetin e këtyre çasteve dhe për të kërkuar që Irani të përgjigjet ndaj raporteve të tmerrshme që marrim”, të cilat flasin për “mijëra vdekje”.
Cooper u tha ligjvënësve se Britania do të paraqesë një projektligj për zbatimin e sanksioneve të reja dhe masave sektoriale kundër Iranit.