BOTA, 23 Janar 2026, 20:27

Shtëpia e Bardhë reagon pas kritikave ndaj Trump: SHBA-të kontribuojnë më shumë se çdo aleat tjetër në NATO

Shtëpia e Bardhë reagon pas kritikave ndaj Trump: SHBA-të

Pas komenteve të Presidentit Donald Trump se trupat e NATO-s qëndruan larg vijave të frontit në Afganistan, Shtëpia e Bardhë ka dalë me një deklaratë zyrtare.

“Presidenti Trump ka të drejtë: kontributet e Amerikës në NATO janë më të mëdha se ato të vendeve të tjera. Përmbushja e premtimit prej 5% të shpenzimeve nga aleatët po ndihmon Evropën të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj,” thuhet në deklaratë.

Sipas BBC, SHBA-të shpenzojnë më shumë për mbrojtje sesa çdo anëtar tjetër i NATO-s, duke përbërë rreth 62% të shpenzimeve totale të aleancës në vitin 2025.

Trump ka inkurajuar aleatët të rrisin shpenzimet për mbrojtje, me një objektiv afatgjatë që ata të arrijnë 5% të PBB-së së tyre deri në vitin 2035. Aktualisht, asnjë vend anëtar nuk ka arritur këtë nivel. Polonia, që shpenzon më shumë për mbrojtje në raport me PBB-në, ka shpenzuar pak më pak se 4.5% në vitin 2025, ndërsa SHBA-të rreth 3.22%.