BOTA, 7 Prill 2026, 18:25

Shtëpia e Bardhë mohon përdorimin e armëve bërthamore ndaj Iranit pas deklaratave të forta të Trump

Shtëpia e Bardhë mohon përdorimin e armëve bërthamore

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet se po shqyrton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër Iranit, pas deklaratave kërcënuese të presidentit amerikan Donald Trump.

Reagimi vjen pasi Trump paralajmëroi më herët se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u kthyer kurrë më”, vetëm pak orë para përfundimit të ultimatumit të vendosur ndaj Iranit.

Ndërkohë, në rrjetet sociale është përhapur një postim nga një llogari e lidhur me ish-kandidaten demokrate për presidente Kamala Harris, ku thuhet se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance po përforcon retorikën e Trump dhe po lë të kuptohet se mund të përdoren edhe armë bërthamore.

Presidenti amerikan ka vendosur një ultimatum që skadon sot në orën 20:00 me orën e Uashingtonit, duke kërkuar që Teherani të heqë bllokadën në Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana tjetër, Vance, gjatë një vizite në Budapest, u shpreh se SHBA kanë në dispozicion “mjete” në arsenalin e tyre që deri më tani nuk i kanë përdorur kundër Iranit.

“Kemi në dispozicion mjete që deri tani nuk kemi vendosur t’i përdorim”, deklaroi ai, duke shtuar se Trump “mund të vendosë t’i përdorë nëse iranianët nuk ndryshojnë sjelljen e tyre”.

Sa i përket ultimatumit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, Vance u shpreh optimist se do të ketë negociata intensive deri në afatin e fundit dhe se mund të arrihet një rezultat pozitiv.