TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi dje se do të zhvillojë një takim me presidentin amerikan, Donald Trump në të ardhmen e afërt, në kuadër të përpjekjeve për të mbajtur gjallë iniciativën amerikane për përfundimin e luftës me Rusinë, sipas BBC.
“Takimi pritet të ndodhë brenda pak ditësh, me shumë gjasa gjatë fundjavës, në Florida”, tha Zelensky.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi sot se Zelensky dhe Trump do të takohen sot në rezidencën e presidentit amerikan në Mar-a-Lago, në Florida, në orën 15:00 sipas kohës amerikane, që korrespondon me orën 21:00 në Evropë.
Megjithatë nuk thuhet nëse në takim do të marrin pjesë dhe përfaqësues nga Moska.
Në një intervistë për “Politico”, Trump deklaroi se gjithashtu do të priste kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Pritet të vijnë Zelensky dhe Bibi”, tha Trump, duke shprehur bindjen se ekzistonte një “mundësi e mirë” për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.
Megjithatë në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk ka ende nje konfirmi për takim me presidentin izraelit, Netanyahu.
Zelensky tha se fokusi i bisedimeve do të ishte një plan paqeje i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, si dhe propozime të veçanta për garanci sigurie për Ukrainën.
Ai theksoi se plani prej 20 pikësh ishte 90% i përfunduar.
“Qëllimi ynë është që gjithçka të jetë 100% gati. Nuk po humbasim asnjë ditë”, shkroi ai në X, duke shtuar se shumë vendime mund të merren para Vitit të Ri.
Nga ana tjetër, reagimet nga Moska kanë qenë të rezervuara. Një zyrtar i lartë rus ka deklaruar se plani amerikan ndryshonte ndjeshëm nga ai që Rusia po diskutonte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kremlini ende nuk ka komentuar mbi propozimin e Zelensky për tërheqjen e trupave ukrainase nga disa zona të Donbasit, nëse Rusia bën të njëjtën gjë.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Gjatë natës, disa sulme ajrore ruse goditën Kievin, duke plagosur të paktën pesë persona, ndërsa autoritetet ukrainase njoftuan se mbrojtja ajrore po përpiqej të zmbrapste sulmet me dronë dhe raketa në të gjithë vendin.
Në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, u raportuan gjithashtu, të vrarë dhe të plagosur pas një tjetër sulmi rus.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht kontrollon pjesën më të madhe të rajoneve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura së bashku si Donbas.
Ukraina po kërkon garanci të forta sigurie nga SHBA-ja si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje dhe ka hedhur idenë e krijimit të një “zone të lirë ekonomike të demilitarizuar” në disa pjesë të rajonit.
Trump, tha për mediet amerikane, se pret të bisedojë së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, duke shtuar se bisedimet me të dy liderët do të “shkonin mirë”.