TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj rafinerisë private kineze “Hengli Group” për shkak të transaksioneve të saj me Iranin, njoftoi Departamenti amerikan i Thesarit.
Në një deklaratë zyrtare, ministria thekson se rafineritë e vogla dhe të pavarura në Kinë “vazhdojnë të luajnë një rol thelbësor në mbështetjen e ekonomisë kineze”, ndërsa Hengli renditet ndër klientët më të mëdhenj të Iranit për eksportet e naftës së papërpunuar dhe produkteve të tjera të naftës, me blerje që arrijnë në “miliarda” dollarë.
Uashingtoni njoftoi gjithashtu sanksione ndaj rreth 40 kompanive të transportit detar dhe anijeve që, sipas tij, i përkasin të ashtuquajturit “flotë fantazmë” të Teheranit dhe që i ofrojnë “një mbështetje jetike ekonomisë së regjimit të paqëndrueshëm iranian”.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se SHBA po synon “rrjetin e anijeve, ndërmjetësve dhe blerësve nga të cilët varet Irani” për të eksportuar naftën e tij në tregjet ndërkombëtare.
“Çdo person apo anije që lehtëson këto flukse, përmes transaksioneve dhe financimeve të fshehta tregtare, rrezikon të përballet me sanksione të SHBA-së,” shtoi Bessent, duke i përshkruar këto masa si pjesë e “Economic Fury” (“Zemërimi Ekonomik”), komponenti ekonomik i përballjes së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, e quajtur operacioni “Epic Fury” (“Zemërimi Epik”).
Sanksionet përfshijnë, ndër të tjera, bllokimin e çdo pasurie të personave fizikë dhe juridikë që bien nën juridiksionin amerikan, si dhe ndalimin e çdo transaksioni të shtetasve dhe subjekteve amerikane me ta.