BOTA, 14 Prill 2026, 22:44

SHBA rikthen sanksionet ndaj naftës iraniane

SHBA rikthen sanksionet ndaj naftës iraniane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të mos rinovojnë lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve për disa eksporte të naftës nga Irani, në një lëvizje që synon të forcojë politikën e “presionit maksimal” ndaj Teheranit, sipas BBC.

Departamenti Amerikan i Thesarit bëri të ditur se është i gatshëm të vendosë edhe sanksione dytësore ndaj institucioneve financiare të huaja që, sipas tij, vijojnë të mbështesin aktivitetet iraniane.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kishte deklaruar më herët se autorizimi i përkohshëm përfshinte shitjen e naftës bruto dhe produkteve të naftës me origjinë iraniane që ndodheshin tashmë të ngarkuara në anije, me afat deri më 19 prill. Sipas tij, kjo masë pritej të nxirrte në tregjet globale rreth 140 milionë fuçi naftë.

Rreth një e pesta e konsumit ditor botëror të naftës kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një zonë kyçe për furnizimin global me energji.

Vendimi i fundit pritet të ndikojë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe të rrisë më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit.