BOTA, 2 Maj 2026, 13:57

SHBA paralajmëron sanksione ndaj kompanive që paguajnë Iranin për kalim në Ngushticën e Hormuzit

SHBA paralajmëron sanksione ndaj kompanive që paguajnë Iranin

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar kompanitë e transportit detar se mund të përballen me sanksione nëse bëjnë pagesa ndaj Iranit për të kaluar në mënyrë të sigurt në Ngushticën e  Hormuzit, sipas AP.

Njoftimi u publikua nga “Office of Foreign Assets Control” (Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja), duke shtuar presionin në përballjen mes SHBA-së dhe Iranit për kontrollin e kësaj rruge jetike detare, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës dhe gazit.

Irani e ka bllokuar praktikisht ngushticën për trafikun normal, pasi ka sulmuar dhe kërcënuar anijet që nga nisja e luftës më 28 shkurt nga SHBA-ja  dhe Izraeli.

Më pas, Teherani ka ofruar kalim të sigurt për disa anije duke i devijuar në rrugë alternative pranë brigjeve të tij, dhe kërkuar në disa raste tarifa për këtë shërbim.

Kjo skemë e ashtuquajtur “taksë kalimi” është në qendër të paralajmërimit amerikan.

Sipas zyrës së lartpërmendur, pagesat mund të përfshijnë jo vetëm para në dorë, por edhe “asete dixhitale, shkëmbime informale apo forma të tjera kompensimi”, përfshirë donacione apo pagesa në ambasadat iraniane.

Autoritetet amerikane theksuan se rreziku i sanksioneve ekziston pavarësisht mënyrës së pagesës, duke paralajmëruar si individët ashtu edhe kompanitë ndërkombëtare që të shmangin çdo marrëveshje me autoritetet iraniane për kalim të sigurt.

Në përgjigje të bllokadës iraniane, SHBA vendosi më 13 prill një bllokadë detare ndaj Iranit, duke penguar daljen e tankerëve iranianë dhe duke i hequr vendit të ardhura të rëndësishme nga eksportet e naftës. Sipas Komandës Qendrore amerikane, 45 anije tregtare janë detyruar të kthehen mbrapsht që nga fillimi i kësaj mase.