BOTA, 5 Nëntor 2025, 22:07

SHBA kryen provë lëshimi të raketës balistike ndërkontinentale Minuteman, mbuloi afërsisht 6,700 km

SHBA kryen provë lëshimi të raketës balistike

Forcat Ajrore Amerikane kanë kryer me sukses një provë lëshimi të raketës balistike ndërkontinentale Minuteman III, për të vlerësuar besueshmërinë dhe saktësinë e sistemit amerikan. Lëshimi provë i Minuteman III u zhvillua më 5 nëntor nga, Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni. Lëshimi u organizua nga Forcat Ajrore përmes Komandës Globale të Sulmit të Forcave Ajrore, me pjesëmarrjen e ushtarëve nga Skuadroni i 625-të i Operacioneve Strategjike.

Nënkolonele Carrie Wray, komandante e Krahut të 576-të të Testimit të Fluturimit, shpjegoi se lëshimi nuk ishte vetëm një provë rutinë, por një vlerësim gjithëpërfshirës për të konfirmuar aftësinë e sistemit ICBM për të kryer misionin e tij kritik. 

"Të dhënat e mbledhura gjatë këtij testi janë të paçmueshme në sigurimin e besueshmërisë dhe saktësisë së vazhdueshme të sistemit ICBM", tha Wray .

Lëshimi u zhvillua në Poligonin Perëndimor të testimit në bazën ajrore Vandenberg, e cila është qendra për testimin e këtyre sistemeve. Mediat e huaja shkruajnë se lëshimi ishte i rëndësishëm jo vetëm për vlerësimin e sistemit, por edhe për forcimin e strategjisë së parandalimit të SHBA-së. Gjatë fazës së fundit të fluturimit ekipi i Poligonit të Testimit Reagan, duke përdorur sensorë të përparuar dhe telemetri, mblodhi të dhëna për të vlerësuar performancën e sistemit.