BOTA, 20 Maj 2026, 21:25

SHBA kërkon burg për ish-liderin kuban Raul Castro, reagon Havana

SHBA kërkon burg për ish-liderin kuban Raul Castro, reagon Havana

Prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche tha sot se pret që ish-lideri kuban Raul Castro, i paditur nga autoritetet amerikane, të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo padi nuk është një trillim. Një urdhër arresti është lëshuar për të. Pra, ne presim që ai të dorëzohet këtu vullnetarisht ose ndryshe dhe të burgoset”, tha ai në një konferencë për shtyp në Miami.

Zyrtari, megjithatë, nuk pranoi të bënte një krahasim me rastin e presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, i cili u kap nga forcat amerikane në janar dhe u ndalua në Shtetet e Bashkuara në pritje të gjyqit.

”Akuza ndaj ish-presidentit kuban Raul Castro në Shtetet e Bashkuara në një rast që daton që nga viti 1996 është një manovër politike, pa asnjë bazë ligjore”, deklaroi presidenti kuban, Miguel Diaz-Canel.

“Ky është një manovër politike, pa asnjë bazë ligjore, e cila kërkon vetëm të forcojë rastin që ata po trillojnë për të justifikuar planin e çmendur të një agresioni ushtarak kundër Kubës”, deklaroi kreu i shtetit kuban në llogarinë e tij në mediat sociale.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti padi ndaj Raul Castros, 94 vjeç, të mërkurën, duke e akuzuar atë për vrasjen e amerikanëve në vitin 1996, kur dy avionë civilë të pilotuar nga kundërshtarë të udhëheqësit kuban u rrëzuan.

“Më 24 shkurt 1996, Kuba veproi në vetëmbrojtje”, shtoi presidenti kuban.