BOTA, 14 Janar 2026, 22:26

SHBA kërcënoi me ndërhyrje brenda 24 orësh, tërhiqet Irani/ Trump: Jemi informuar se vrasjet po ndalen dhe nuk ka plane për ekzekutime

SHBA kërcënoi me ndërhyrje brenda 24 orësh, tërhiqet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi sot gjatë një ceremonie nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë se Uashingtoni është informuar se vrasjet në Iran po ndalen dhe aktualisht nuk ka plane për ekzekutime.

“Jemi njoftuar, dhe mjaft qartë – megjithëse do të shohim se çfarë do të thotë kjo në praktikë – se vrasjet në Iran po ndalen, janë ndalur dhe nuk ka plane për ekzekutime. Këtë informacion e kam nga burime të besueshme,” tha Trump, duke shtuar se lajmi i kishte mbërritur “vetëm pak më parë”.

Presidenti amerikan theksoi se ditët e fundit kishte pasur shumë spekulime se dita e sotme mund të shënonte fillimin e ekzekutimeve të protestuesve. “Shumë njerëz po thoshin se sot do të ishte dita e ekzekutimeve,” u shpreh ai, duke paralajmëruar gjithsesi se “nëse kjo ndodh, të gjithë do të jemi shumë të shqetësuar”.

Më herët gjatë mbrëmjes, Trump kishte premtuar “veprime shumë të forta” nëse regjimi në Teheran do të vazhdonte me ekzekutimin e protestuesve. Korrespondenti i Sky News për SHBA-në, James Matthews, vlerësoi deklaratat si “shumë domethënëse”, duke shtuar se ndalimi i vrasjeve mund të jetë një faktor vendimtar për vendimet e SHBA-së lidhur me ndërhyrjen ushtarake ndaj Iranit.

Sipas raportimeve, brenda orës së fundit është bërë e ditur se Erfan Soltani, i cili besohej se do të ishte protestuesi i parë që do të ekzekutohej në kuadër të trazirave aktuale, nuk është ekzekutuar sot.