BOTA, 13 Prill 2026, 11:02

"Sërish bashkë"/ Kryeministri polak s’e përmban entuziamin për largimin e Orbánit: Fitore e lavdishme! Rusë, shkoni në shtëpi!

"Sërish bashkë"/ Kryeministri polak s’e përmban

Kryeministri polak Donald Tusk ka përshëndetur atë që e quajti një “fitore të lavdishme” të partisë opozitare pro-BE në Hungari, Tisza në zgjedhjet parlamentare.

“Hungaria, Polonia, Europa. Sërish bashkë! Fitore e lavdishme, të dashur miq!” shkroi Tusk në X, duke shtuar edhe shprehjen në hungarisht: “Rusët, shkoni në shtëpi!”

Lideri i Tiszas, Péter Magyar, deklaroi se udhëtimi i tij i parë jashtë vendit do të jetë në Varshavë, më pas në Vjenë dhe Bruksel.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán pranoi humbjen pas fitores së thellë të opozitës, duke shënuar një goditje për aleatët e tij të djathtë në Europë dhe më gjerë.

Votimi u ndoq nga afër në Varshavë, ku Magyar kishte premtuar forcimin e marrëdhënieve me Poloninë nëse merr pushtetin.

Tusk më herët kishte deklaruar se zgjedhjet në Hungari mund të shënonin një kthesë për Europën.

Magyar e kishte paraqitur garën si një zgjedhje mes “Lindjes ose Perëndimit, shtetit të dështuar ose funksional, korrupsionit ose një hapësire të drejtë publike”.

Ai ka premtuar se një qeveri e re do t’i japë përparësi luftës kundër korrupsionit, forcimit të pozicionit të Hungarisë në NATO dhe Bahskimin Europian, zhbllokimit të fondeve të ngrira të BE-së dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Poloninë.

Analistët thonë se fundi i qeverisjes së Orbánit mund të ketë pasoja të mëdha për Ukrainën, duke lehtësuar qëndrimet e Hungarisë brenda BE-së dhe duke hapur rrugën për mbështetje të re financiare për Kievin.