BOTA, 11 Prill 2026, 12:14

Sekretari i OKB-së: SHBA dhe Irani të shfrytëzojnë mundësinë diplomatike për t’i dhënë fund luftës

Sekretari i OKB-së: SHBA dhe Irani të shfrytëzojnë

Përpara bisedimeve të planifikuara mes delegacioneve të SHBA dhe Iranit në Pakistan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres u ka bërë thirrje dy vendeve që të shfrytëzojnë këtë moment për të arritur një marrëveshje që do t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Megjithëse të dyja palët vijojnë të shfaqin mosbesim ndaj njëra-tjetrës, Guterres i ka cilësuar negociatat si një mundësi të rëndësishme diplomatike që nuk duhet humbur, duke i nxitur SHBA-në dhe Iranin – armiq të vjetër – të angazhohen seriozisht për një zgjidhje afatgjatë.

Sipas tij, palët duhet të marrin pjesë në bisedime me “vullnet të mirë” dhe të synojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, e cila do të ndihmonte në uljen e tensioneve dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.

Deklarata u bë publike nga zëdhënësi i OKB-së Stéphane Dujarric gjatë një konference për shtyp në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku u theksua rëndësia e procesit për stabilitetin rajonal.