BOTA, 24 Prill 2026, 21:19

Sanchez: Spanja mbetet aleate e besueshme e NATO-s

Sanchez: Spanja mbetet aleate e besueshme e NATO-s

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez deklaroi sot se nuk ka asnjë shqetësim, pas publikimit të një artikulli të Reuters që përmend diskutime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një pezullim të mundshëm të Spanjës nga NATO-ja, si kundërpërgjigje ndaj kundërshtimit të saj për luftën kundër Iranit.

Asnjë nen i traktatit themelues të NATO-s, i nënshkruar në vitin 1949, nuk parashikon pezullimin apo përjashtimin e një shteti anëtar nga Aleanca, e cila ka qenë shpesh në qendër të kritikave të Donald Trump që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë më shumë se një vit më parë.

I pranishëm në Nikozia për një samit të liderëve të Bashkimi Evropian, Sanchez u pyet për raportimet se Uashingtoni mund të shqyrtojë pezullimin e pjesëmarrjes së Spanjës në poste drejtuese brenda Aleancës.

”Spanja është një partnere e besueshme në NATO dhe ne përmbushim detyrimet tona”, u shpreh ai në anglisht.

”Pra, nuk ka arsye për shqetësim”, shtoi ai.

”Ne nuk punojmë mbi bazën e e-maileve, por mbi dokumente zyrtare dhe qëndrime që formulon qeveria e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi ai më tej në spanjisht.

”Qëndrimi i qeverisë spanjolle është i qartë: bashkëpunim i plotë me aleatët tanë, por gjithmonë në kuadër të ligjit ndërkombëtar”, vijoi ai.

E pyetur për këto raportime, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni bëri thirrje që NATO-ja të mbetet e bashkuar, duke e cilësuar këtë si një nga pikat e saj më të forta.

Ndërkohë, presidnenti  Donald Trump nuk reagoi menjëherë.

Por, në një email zëdhënësja e Pentagonit, Kingsley Wilson, theksoi se ”siç ka thënë presidenti Trump, pavarësisht gjithçkaje që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për aleatët e NATO-s, ata nuk na kanë mbështetur” gjatë ofensivës kundër Iranit.

Që prej fundit të shkurtit, Pedro Sanchez ka kundërshtuar luftën e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit, duke u bërë një nga zërat kryesorë në Perëndim kundër përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Ky qëndrim ka irrituar fort presidentin Trump, i cili ka kritikuar Madridin për refuzimin e lejimit të përdorimit të bazave ushtarake në Andaluzi për sulme ajrore, madje duke kërcënuar me ndërprerjen e çdo tregtie mes dy vendeve.

Prej disa muajsh, Trump gjithashtu i kërkon qeverisë spanjolle që të rrisë shpenzimet e sigurisë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035, përfshirë 3,5% vetëm për shpenzimet ushtarake, sipas marrëveshjes së arritur në samitin e Aleancës në Hagë.

Nga ana tjetër, Madridi beson se mund të përmbushë objektivat ushtarake të NATO-s duke i kufizuar shpenzimet në 2% të PBB-së.

Sanchez është gjithashtu një nga pak liderët perëndimorë të nivelit të lartë që e ka cilësuar si gjenocid luftën e Izraelit në Gaza, pas ofensivës së Hamasit në tetor 2023.