BOTA, 14 Nëntor 2025, 22:06

Salvini: Të ndalohet dërgimi i armëve në Kiev, rrezik korrupsioni

Salvini: Të ndalohet dërgimi i armëve në Kiev, rrezik

Zëvendëskryeministri i Italisë dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini ka kërkuar ndalimin e dërgimit të armëve në Kiev – duke theksuar rrezikun e korrupsionit në vend, sipas “La Repubblica”.

Pothuajse një pretendim politik. Kjo shpjegon, të paktën pjesërisht, pse udhëtimi i ministrit italian të Mbojtjes, Guido Crosetto në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u anulua, ditët e fundit.

Përveç dyshimeve të kryeministres Giorgia Meloni në lidhje me blerjet e armëve amerikane gjatë kësaj faze delikate politike, vetoja e Salvini kundër mekanizmit PURL ka qenë shumë e rëndësishme.

Në fakt, është vetë sekretari i “Lega” që po thekson vonesat në pjesëmarrjen e Italisë në programin e menaxhuar nga NATO. Ai e bëri këtë publikisht, në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë.

“Pas shfaqjes së skandaleve të korrupsionit që përfshijnë qeverinë ukrainase, nuk do të doja që ato para nga punonjësit dhe pensionistët italianë të nxisnin më tej korrupsionin”, tha Salvini, duke folur në Napoli për mundësinë e bashkimit të Italisë me programin PURL.

“Nuk mendoj se dërgimi i më shumë armëve do ta zgjidhë problemin”, shtoi ai.

“Nuk mund ta gjykosh Kievin nga dy individë të korruptuar”, tha ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto duke iu drejtuar Salvini-t.

Brenda qeverisë ka një përplasje. Fjalët e Salvini-t bien ndesh me qëllimin e deklaruar të Romës për të vazhduar mbështetjen e Kievit në mbrojtjen e tij kundër agresionit rus, përfshirë edhe përmes ndihmës ushtarake.

Këto koncepte në mënyrë të pashmangshme zhgënjejnë Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili i kërkoi Italisë të miratonte programin PURL.

Ditët e fundit, Kievi i ka kërkuar në mënyrë jo zyrtare qeverisë së Meloni të bashkohej me programin e ndihmës për të marrë sistemin e raketave “Patriot” dhe “Himars”, thelbësorë për t’i rezistuar sulmeve nga qielli.

“Nuk mendoj se dërgimi i më shumë armëve do ta zgjidhë problemin. Ajo që mendoj se po ndodh në orët e fundit me avancimin e trupave ruse na tregon se është në interesin e të gjithëve, veçanërisht të Ukrainës, të ndalojnë luftën. Të mendosh se dërgimi i armëve në Ukrainë do të thotë që Ukraina mund të rifitojë terrenin e humbur është naive”, tha Salvini.

Nuk është rastësi që anëtari i “Lega” po nxit këtë qëndrim. Ai e di se mund të mbështetet në mbështetjen e ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Giancarlo Giorgetti, i cili vazhdon të paralajmërojë për rrezikun e rritjes së shpenzimeve ushtarake – pikërisht në një kohë kur buxheti shtrëngues është në diskutim.

Në realitet, ideja ishte t’i bashkohej PURL me 140 milionë euro, një shifër e qëndrueshme.

Ajo që po rëndon mbi “Palazzo Chigi” janë dyshimet e Melon për dhënien e dritës jeshile – në këtë moment politik – për investimet në pajisje ushtarake për Kievin, të cilat mund të “gërryejnë” mbështetjen e opinionit publik.

Zëvendëskryeministri i Italisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani tha se qeveria kishte përgatitur një dekret të ri ndërministror për ndihmë ushtarake për Kievin, duke konfirmuar dërgimin e paketës së dymbëdhjetë në mbështetje të Ukrainës.

“Një paketë e re pajisjesh ushtarake është tashmë gati, të cilën do ta nënshkruajmë në ditët në vijim. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, e cila është ende nën sulm nga Rusia, përfshirë edhe sonte, me raketa dhe dronë”, tha Tajani.