BOTA, 27 Nëntor 2025, 15:30

“Rusia nuk po planifikon asnjë sulm ndaj Evropës”/ Putin: Plani 28-pikësh i Trump për paqe në Ukrainë mund të shërbejë si bazë për marrëveshjen

“Rusia nuk po planifikon asnjë sulm ndaj Evropës”/ Putin:

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se plani 28-pikësh i hartuar nga presidenti amerikan Donald Trump dhe i diskutuar në bisedimet SHBA–Ukrainë në Gjenevë, mund të shërbejë si bazë për marrëveshjet e ardhshme.

Megjithatë, ai theksoi se dokumenti “nuk është version përfundimtar” dhe se disa prej pikave “kërkojnë diskutime të mëtejshme”.

Putin u shpreh se Moska “po sheh qëndrime më të afërta nga SHBA-të” dhe se amerikanët po marrin parasysh kërkesat ruse në procesin e negociatave.

Nga ana tjetër, ai hodhi poshtë me tone të forta deklaratat perëndimore se Rusia po përgatit një sulm ndaj Evropës, duke i quajtur këto pretendime “qesharake”.

Deklaratat e Putinit vijnë në një moment kur bisedimet midis Uashingtonit, Kievit dhe Moskës po bëhen gjithnjë e më intensive, ndërsa mbetet e paqartë se cilat nga pikat e planit mund të pranohen nga palët.