BOTA, 19 Maj 2026, 21:47

Rusia nis manovra ushtarake me dhjetëra mijëra trupa dhe përfshirje të forcave bërthamore

Rusia nis manovra ushtarake me dhjetëra mijëra trupa dhe

Rusia ka nisur manovra ushtarake triditore, ku përfshihen dhjetëra mijëra ushtarë, por dhe manovra të forcave bërthamore, njëkohësisht me vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin, në Pekin.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se në këto manovra do të angazhohen rreth 64 000 ushtarë dhe 7 800 njësi pajisjesh ushtarake, përfshirë më shumë se 200 lëshues raketash.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, në manovra përfshihen gjithashtu 140 avionë, 73 anije luftarake dhe 13 nëndetëse.

Tetë prej këtyre nëndetëseve janë të pajisura me armë bërthamore.

Nga forcat detare marrin pjesë Flota Veriore, e vendosur në veriun evropian të Rusisë, si dhe Flota e Paqësorit në Lindjen e Largët.

Sipas ushtrisë ruse, qëllimi i manovrave është testimi i gatishmërisë operative të strukturave komanduese dhe trupave për të penguar një kundërshtar të mundshëm. Në poligonet ushtarake në territorin rus do të kryhen prova me raketa balistike dhe raketa lundruese.

Dje u njoftua gjithashtu se gjatë manovrave do të ushtrohet vendosja e armëve bërthamore të stacionuara në Belarus.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Ukrainës deklaroi se Moska po e shndërron Minskun në bashkëpunëtor të kërcënimeve të saj bërthamore.

Putin pritet të mbërrijë në Pekin sot  për një vizitë dyditore, pas vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Kinë javën e kaluar.