BOTA, 7 Maj 2026, 17:27

Rumen Radev merr mandatin për formimin e qeverisë së re pas fitores së thellë në zgjedhjet parlamentare në Bullgari

Rumen Radev merr mandatin për formimin e qeverisë së re pas

Presidentja e Bullgarisë, Iliana Yotova, i dha sot fituesit të zgjedhjeve, Rumen Radev, mandatin për formimin e qeverisë së re dhe postin e kryeministrit, pas fitores së thellë të partisë së tij “Bullgaria Progresive” (PB) në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar.

Partia e ish-pilotit euroskeptik të avionëve luftarakë siguroi 44.6% të votave në zgjedhjet parlamentare të 19 prillit, duke fituar mjaftueshëm mandate për të mos pasur nevojë për koalicione me parti të tjera.

Kjo fitore i dha fund një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie politike, që kishte çuar në tetë procese zgjedhore brenda pesë viteve.

Pas marrjes së mandatit, Radev prezantoi kabinetin e tij të ardhshëm qeveritar, i cili pritet të marrë votëbesimin në Parlament gjatë ditës së nesërme.

Radev dha dorëheqjen në janar nga posti i presidentit të Bullgarisë për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare, pasi qeveria e mëparshme u rrëzua në sfondin e protestave masive të dhjetorit kundër korrupsionit dhe rritjes së kostos së jetesës.

Qeveria e re do të duhet të miratojë me shpejtësi një buxhet të ri, të vendosë një kufi të borxhit publik për të garantuar pagesat e pensioneve dhe pagave, si edhe të rikuperojë fondet e humbura të Bashkimit Europian.