BOTA, 4 Janar 2026, 17:19

Rubio: SHBA s'ka nevojë për naftën e Venezuelës. Për operacionin, nuk kishim nevojë për miratimin e Kongresit

Rubio: SHBA s'ka nevojë për naftën e Venezuelës.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, është shprehur se Amerika nuk ka nevojë për naftën e Venezuelës.

Sipas mediave të huaja, komentet Rubio i bëri në një intervistë në NBC, ku ai u pyet edhe për planet e reklamuara të SHBA-së për të marrë nën kontroll industrinë e naftës së Venezuelës.

Rubio iu referua veçanërisht nevojës për të ndaluar rivalët globalë të kenë akses në burimet e vendit, duke thënë:

"Nuk kemi nevojë për naftën e Venezuelës. Kemi shumë naftë në Shtetet e Bashkuara. Ajo që nuk do të lejojmë është që industria e naftës në Venezuelë të kontrollohet nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara... Pse Kina ka nevojë për naftën e tyre? Pse Rusia ka nevojë për naftën e tyre? Pse Irani ka nevojë për naftën e tyre?”

"Ne nuk do të lejojmë që Hemisfera Perëndimore të jetë një bazë operacioni për kundërshtarët, konkurrentët dhe rivalët e Shteteve të Bashkuara... Ne duam të shohim që nga të ardhurat nga nafta e atij vendi të përfitojnë populli i Venezuelës", shtoi Rubio më tej.

Normalisht, vetëm Kongresi Amerikan ka fuqinë për të shpallur luftë. Megjithatë, Sekretari amerikan I Shtetit, Marco Rubio zbuloi dje se Kongresi nuk ishte njoftuar para operacionit të së shtunës.

Në intervistën për NBC, ai këmbënguli se kapja e Nicolas Maduros “nuk ishte një veprim që kërkonte miratimin e Kongresit... sepse ky nuk ishte një pushtim”.

Ai e quajti operacionin "në funksion të zbatimit të ligjit për të kapur një trafikant droge të akuzuar".

“Ky nuk është një operacion i zgjeruar ushtarak”, shtoi ai, shkruan A2 CNN.

"Ishte një operacion shumë delikat... dhe ishte një operacion që kërkonte që të gjitha këto kushte të ishin në vend në kohën e duhur dhe në vendin e duhur", shtoi ai më tej