BOTA, 20 Maj 2026, 19:49

Rrëzimi i dy avionëve amerikanë në vitin 1996, SHBA ngre padi ndaj ish-presidentit kubanez, Raúl Castro

Rrëzimi i dy avionëve amerikanë në vitin 1996, SHBA ngre

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një aktakuzë federale penale ndaj ish-presidentit kubanez Raúl Castro dhe pesë personave të tjerë, në një lëvizje që konsiderohet si përshkallëzim i fortë i presionit të administratës Trump ndaj regjimit komunist në Kubë.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga CBS, Castro, 94 vjeç, akuzohet për komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë, katër akuza për vrasje dhe dy akuza për shkatërrim avionësh.

Aktakuza lidhet me incidentin e vitit 1996, kur avionë luftarakë kubanezë rrëzuan dy avionë civilë të grupit humanitar “Brothers to the Rescue” në Ngushticën e Floridës. Katër persona humbën jetën në sulm, ndërsa sipas autoriteteve amerikane, urdhri për hapjen e zjarrit ishte dhënë nga vetë Raúl Castro.

Ngjarja ka rikthyer tensionet mes Uashingtonit dhe Havanës, teksa Donald Trump ka shtuar retorikën kundër qeverisë kubaneze dhe ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj regjimit komunist.

Në një reagim në platformën X, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, akuzoi drejtuesit kubanezë për krizën e rëndë ekonomike dhe energjetike në vend.

“Arsyeja pse populli kubanez jeton pa energji elektrike nuk është embargoja amerikane, por korrupsioni dhe grabitja e miliarda dollarëve nga regjimi,” shkroi Rubio.

Nga ana tjetër, zëvendësministri kubanez i Punëve të Jashtme, Carlos Cossio, e cilësoi deklaratën e Rubios si “gënjeshtër të pamëshirshme” dhe akuzoi SHBA-në për agresion ndaj popullit kubanez.

Në një konferencë për shtyp në Uashington, kongresmenët kubano-amerikanë e përshëndetën aktakuzën ndaj Castros.

“Sot është një ditë historike për kubanezët që u detyruan të largohen nga vendi i tyre për shkak të familjes Castro,” deklaroi kongresmenia Maria Elvira Salazar.

Ajo paralajmëroi se “ditët e familjes Castro kanë marrë fund”, ndërsa bëri thirrje që opozita kubaneze të vazhdojë protestat kundër regjimit.

Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe pas raportimeve se Kuba ka siguruar qindra dronë ushtarakë dhe ka diskutuar plane për sulme ndaj objektivave amerikane në Guantanamo Bay dhe Florida.

Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel reagoi ashpër duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të sillte “gjakderdhje”. “Kuba nuk përbën kërcënim,” deklaroi ai.