TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Azerbajxhani dhe Rusia kanë njoftuar se kanë arritur një marrëveshje lidhur me rrëzimin e avionit të kompanisë Azerbaijan Airlines në vitin 2024, ku humbën jetën 38 persona.
Sipas një njoftimi të përbashkët të ministrave të jashtëm të dy vendeve, marrëveshja përfshin pagesën e dëmshpërblimeve për familjet e viktimave dhe pranon se aksidenti u shkaktua nga një “veprim i paqëllimshëm” i një sistemi të mbrojtjes ajrore ruse në hapësirën ajrore të Rusisë.
Avioni tip “Embraer 190” me 67 pasagjerë në bord ishte nisur nga Baku drejt Groznit dhe po tentonte një ulje emergjente në Kazakistan më 25 dhjetor 2024, kur u rrëzua.
Palët bënë të ditur se marrëveshja është arritur pas konsultimeve mes presidentëve të dy vendeve dhe përfshin mekanizma për kompensim, ndonëse detaje të tjera nuk janë publikuar.
Ngjarja kishte tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kishte kërkuar më herët nga Moska pranimin e përgjegjësisë, duke e akuzuar për mungesë transparence.
Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin kishte kërkuar falje për faktin se tragjedia ndodhi në hapësirën ajrore ruse.
Zyrtarë evropianë kanë krahasuar ngjarjen me rrëzimin e fluturimit MH17 në vitin 2014, duke rikthyer në vëmendje rrezikun e incidenteve të ngjashme në zonat e konfliktit.