BOTA, 8 Prill 2026, 22:36

Reuters: Irani thyen armëpushimin, sulmon tubacionin e vetëm të eksportit të naftës në Arabinë Saudite

Reuters: Irani thyen armëpushimin, sulmon tubacionin e vetëm të

Irani thuhet se ka sulmuar tubacionin Lindje-Perëndim në Arabinë Saudite, vetëm disa orë pas një marrëveshjeje armëpushimi që synonte pezullimin e përkohshëm të luftimeve në luftën me Shtetet e Bashkuara, sipas Reuters.

Ky tubacion është bërë tani rruga e vetme për eksportin e naftës së papërpunuar të mbretërisë, pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit për shkak të konfliktit.

Sipas të njëjtit burim, tubacioni u godit në një sulm që i atribuohet Iranit, ndërsa edhe objekte të tjera energjetike në Arabinë Saudite duket se janë bërë objektiv. Tubacioni transportonte rreth 7 milionë fuçi naftë në ditë nga fushat naftëmbajtëse të lindjes së Arabisë Saudite drejt portit të Yanbu në Detin e Kuq, pasi mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka bllokuar sasi të mëdha nafte dhe gazi natyror në Gjirin Persik, duke shkaktuar rritje të theksuar të çmimeve të energjisë.

Prurjet përmes tubacionit pritet të ndikohen, ndërsa po vlerësohen dëmet. Ekspertët paralajmërojnë për përkeqësim të një krize energjetike globale që tashmë është e jashtëzakonshme.

Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) njoftoi në një deklaratë se kanë kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj disa objektivave në rajon, duke përfshirë edhe impiante nafte të kompanive amerikane në Yanbu.

Ora e saktë e sulmit, shkalla e dëmeve dhe ndikimi në funksionimin e tubacionit ende nuk janë bërë të qarta.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord të martën për një armëpushim dy-javor, me ndërmjetësimin e Pakistanit, për të ndalur një luftë gjashtë-javore që ka shkaktuar mijëra viktima, është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme dhe ka shqetësuar në mënyrë të jashtëzakonshme tregjet e energjisë.

Pavarësisht marrëveshjes, sulmet në vendet e tjera të Gjirit kanë vazhduar. Ushtria e Kuvajtit njoftoi se nga ora 08:00 sipas kohës lokale është regjistruar intensifikim i sulmeve iraniane, me dronë që kanë shkaktuar dëme të mëdha në impiante nafte, centrale elektrike dhe impiante për pastrimin e ujit.

Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se po përballen me sulme me raketa dhe dronë nga Irani, ndërsa në Bahrain u bë e ditur se një sulm iranian shkaktoi dëme në banesa në zonën Sitra.

Rëndësia e tubacionit për Arabinë Saudite

Aramco përdor rreth 2 milionë fuçi në ditë nga kapaciteti i tubacionit për nevojat e brendshme, duke lënë rreth 5 milionë fuçi në ditë për eksport. Ngarkesat nga porti i Yanbu arritën pothuajse kapacitetin maksimal, duke prekur 4.6 milionë fuçi në ditë gjatë javës që filloi më 23 mars, sipas të dhënave të transportit të naftës.

Funksionimi i tubacionit ka bërë që Arabia Saudite të jetë ndër përfituesit relativë nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, pasi analiza e Reuters tregoi se të ardhurat e pritshme nga nafta për muajin mars ishin më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.