BOTA, 29 Prill 2026, 21:34

Reuters: Garda Revolucionare merr vendimet ushtarake dhe politike në Iran

Reuters: Garda Revolucionare merr vendimet ushtarake dhe politike në Iran

Kur kanë kaluar dy muaj që nga fillimi i konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, në Iran raportohet se nuk ekziston më një lider klerikal i padiskutueshëm në krye të pushtetit.

Sipas burimeve iraniane të cituara nga agjencia “Reuters”, Mojtaba Khamenei mbetet në krye të strukturës politike, por roli i tij thuhet se është kufizuar kryesisht në legjitimimin e vendimeve të marra nga struktura ushtarake, dhe jo në drejtimin e drejtpërdrejtë të politikave shtetërore.

Analistë iranianë vlerësojnë se presioni i periudhës së luftës ka përqendruar pushtetin në një rreth të ngushtë vendimmarrës, të dominuar nga Këshilli Suprem për Sigurinë Kombëtare dhe nga Garda Revolucionare, të cilat aktualisht kanë ndikimin kryesor si në strategjinë ushtarake, ashtu edhe në vendimet politike.

Një zyrtar pakistanez i përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Islamabad ka deklaruar se procesi i vendimmarrjes në Iran është i ngadalshëm dhe jo i unifikuar, duke shtuar se shpesh duhen disa ditë për të marrë një përgjigje zyrtare nga pala iraniane.

Në aspektin diplomatik, përfaqësimi i Iranit në bisedimet me SHBA-në po udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa në proces është përfshirë edhe kryetari i parlamentit Mohammad Ghalibaf, i cili po luan një rol ndërmjetësues mes strukturave politike, të sigurisë dhe atyre fetare.

Megjithatë, sipas disa burimeve pakistaneze dhe iraniane, figura kyçe në proceset e brendshme të vendimmarrjes mbetet komandanti i Gardës Revolucionare Ahmad Vahidi, i cili po shfaqet si një nga aktorët më me ndikim në drejtimin aktual të Iranit gjatë konfliktit.