BOTA, 17 Maj 2026, 20:12

Raportimet për sigurimin e 300 dronëve, Kuba i drejtohet SHBA-së: Nëse na sulmoni, do të vetëmbrohemi!

Raportimet për sigurimin e 300 dronëve, Kuba i drejtohet SHBA-së:

Tensionet mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara po rriten, pas raportimeve se Havana ka siguruar qindra dronë ushtarakë dhe po shqyrton sulme ndaj objektivave amerikane. Ministria e Jashtme e Kubës deklaroi se vendi do të mbrohet nëse sulmohet.

“Nëse Kuba sulmohet, do të ushtrojë të drejtën legjitime për vetëmbrojtje”, thuhet në reagimin e publikuar në platformën X.

Deklarata vjen pas raportimeve të mediave amerikane se Kuba ka siguruar mbi 300 dronë dhe po planifikon sulme ndaj bazës amerikane në Gjirin e Guantanamos, anijeve luftarake amerikane dhe ndoshta ndaj zonës Key West në Florida.

Sipas zyrtarëve amerikanë, shqetësimi lidhet edhe me praninë e këshilltarëve ushtarakë iranianë në Havana dhe zhvillimin e teknologjisë së dronëve.

Një zyrtar amerikan deklaroi se prania e teknologjive të tilla pranë territorit amerikan konsiderohet një kërcënim në rritje, sidomos në një rajon ku veprojnë organizata kriminale dhe grupe të armatosura.

Ndërkohë, sipas raportimeve të Axios, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, zhvilloi një vizitë në Kubë dhe paralajmëroi autoritetet kubane të mos ndërmarrin veprime armiqësore ndaj SHBA-së.

Raporti shton se SHBA mund të shpallë së shpejti akuza ndaj liderit kuban Raul Castro lidhur me një incident të vitit 1996, si dhe të vendosë sanksione të reja ndaj Kubës.