TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria irlandeze i mbijetoi sot një votëbesimi në parlament, pas kritikave të forta për mënyrën se si menaxhoi një javë protestash masive për çmimet e karburanteve, të cilat bllokuan furnizimin me naftë, zbrazën pikat e karburantit dhe shkaktuan trafik të rënduar, sipas AP.
Kryeministri irlandez, Micheál Martin, mbrojti qeverinë e koalicionit duke theksuar se ajo kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund bllokadës që, sipas tij, rrezikonte të shkaktonte dëme edhe më të mëdha.
Votimi përfundoi me 92 vota pro dhe 78 kundër, duke konfirmuar qëndrimin në detyrë të qeverisë dhe të kryeministrit Martin. Në rast dështimi, kabineti do të detyrohej të jepte dorëheqjen dhe parlamenti do të duhej të zgjidhte një kryeministër të ri ose të shpallte zgjedhje të parakohshme.
Protestat nisën më 7 prill, kur kolona automjetesh lëviznin ngadalë dhe bllokonin rrugët kryesore. Më pas ato u përshkallëzuan përmes rrjeteve sociale, ku shoferë kamionësh, fermerë, operatorë taksish dhe autobusësh bllokuan infrastrukturën kyçe dhe rrugët kryesore në Dublin.
Demonstruesit kërkonin vendosjen e kufijve të çmimeve ose ulje taksash për të përballuar rritjen e kostove të karburantit, të cilat sipas tyre rrezikojnë falimentimin e shumë bizneseve.
Pas votimit, protestuesit u mblodhën jashtë parlamentit “Dáil Éireann”, duke brohoritur kundër qeverisë.
Opozita e akuzoi kryeministrin Martin për reagim të vonuar dhe e cilësoi paketën e ndihmës si të pamjaftueshme, duke theksuar se qeveria nuk po adreson krizën më të gjerë të kostos së jetesës.
Liderja e “Sinn Féin”, partia më e madhe në Asamblenë e Irlandës së Veriut, Mary Lou McDonald, deklaroi se votëbesimi ishte një veprim arrogant ndaj qytetarëve që po përballen me vështirësi ekonomike.
Protestat në Irlandë pasqyrojnë shqetësimet globale për rritjen e kostove të jetesës pas pandemisë COVID-19 dhe pasojave të luftës në Ukrainë, ndërsa situata është përkeqësuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të energjisë.
Kryeministri Martin mbështeti uljet e taksave të ofruara nga qeveria, duke i cilësuar si ndër më të mëdhatë në Evropë, dhe theksoi se ndërprerjet në furnizim ishin të papranueshme për një ekonomi që eksporton rreth 90% të prodhimit të saj.
Autoritetet ndërhynë për të zhbllokuar pikat kyçe të furnizimit, përfshirë rafinerinë në Whitegate dhe disa depo karburanti, pasi më shumë se një e treta e pikave të karburantit mbetën pa furnizim.
Gjatë fundjavës, përplasjet mes policisë dhe protestuesve përfshinë edhe përdorimin e gazit lotsjellës.
Ndërkohë, parlamenti pritet të miratojë një paketë mbështetëse prej 505 milionë eurosh, që përfshin pagesa direkte për transportuesit dhe subvencione për sektorët e bujqësisë dhe peshkimit, me qëllim lehtësimin e presionit ekonomik mbi qytetarët dhe bizneset.