TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kabineti qeveritar i Izraelit miratoi sot, të hënën, mbylljen e një radioje kombëtare shumë të ndjekur, një vendim që përfshihet në një seri masash të koalicionit të djathtë qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilat kritikët thonë se dëmtojnë demokracinë.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, propozoi mbylljen e radios së ushtrisë izraelite, e cila transmeton që nga ditët e para të themelimit të shtetit hebre, deri më 1 mars 2026. Sipas tij, masa synon ruajtjen e karakterit jopartiak të ushtrisë.
Në një deklaratë, Katz tha se qëllimi fillestar i radios ishte transmetimi i programeve për ushtarët izraelitë, por me kalimin e kohës ajo është shndërruar në një platformë për pikëpamje që, sipas tij, “sulmojnë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe vetë ushtarët e IDF-së”.
Radioja e ushtrisë është një nga dy mediat e financuara nga shteti në Izrael, tjetra është transmetuesi publik KAN, i cili përfshin një kanal televiziv informativ, disa stacione radiofonike dhe një platformë digjitale të njohur. Të dyja gëzojnë pavarësi editoriale.
Katz deklaroi se një radio e drejtuar nga ushtria, e cila transmeton për publikun e gjerë, është një anomali për çdo demokraci. Edhe kryeministri Netanyahu u shpreh në mbledhjen e qeverisë: “Mendoj se një gjë e tillë ekziston në Korenë e Veriut dhe ndoshta në disa vende të tjera, dhe me gjasë nuk duam të jemi mes tyre”.
Vendimi është kritikuar ashpër nga kundërshtarët, të cilët paralajmërojnë se ai do të dëmtojë lirinë e shprehjes.
“Ata duan një media të bindur, nuk duan media kritike”, tha Anat Saragusti, e cila monitoron lirinë e shtypit për Shoqatën e Gazetarëve të Izraelit, gjatë një konference me qindra gazetarë në Tel Aviv këtë muaj.
Lëvizja për Qeverisje Cilësore në Izrael, një organizatë e pavarur kundër korrupsionit, njoftoi se ka paraqitur një peticion me nënshkrime kundër vendimit të qeverisë.
Edhe Instituti Izraelit i Demokracisë (IDI), një institut i pavarur studimor, reagoi duke thënë se mbyllja e radios së ushtrisë praktikisht eliminon njërën nga dy mediat publike të pavarura të vendit dhe se një vendim kaq i gjerë duhet t’i nënshtrohet miratimit të parlamentit.
“Vendimi për të mbyllur një institucion publik informimi nuk është një veprim i izoluar. Ai është pjesë e një modeli më të gjerë dhe shqetësues të goditjeve të vazhdueshme ndaj demokracisë izraelite”, thuhet në deklaratën e IDI-së.
Plane të tjera të koalicionit të Netanyahut përfshijnë një ligj që do të zgjerojë një masë të përkohshme emergjente, e cila lejon ndalimin e mediave që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare, si dhe një reformë të gjerë të gjithë tregut mediatik izraelit.
Ky ligj është përdorur tashmë për të ndaluar aktivitetin e rrjetit panarab Al Jazeera në Izrael gjatë luftës në Gaza.
Një valë projektligjesh nga koalicioni qeverisës nacionalist-fetar, që u pezulluan gjatë dy viteve të luftës në Gaza, përfshinte edhe ndryshime në sistemin gjyqësor, duke shkaktuar protesta masive në Izrael.
Disa prej këtyre projektligjeve janë rishfaqur nga anëtarë të koalicionit të Netanyahut, ndërsa Izraeli hyn në një vit zgjedhor dhe kryeministri synon të sigurojë një falje të paprecedentë, në kohën kur përballet me një proces gjyqësor për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon.