TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka bllokuar këngëtarit të njohur amerikan, Kanye West, lejen për të udhëtuar drejt MB, pas polemikave rreth performancës së tij të planifikuar si artist kryesor në Wireless Festival këtë verë në Londër.
Home Office i tha BBC-së se reperi kishte bërë një aplikim për të udhëtuar në MB dje përmes një Autorizimi Elektronik të Udhëtimit (ETA). Vendimi për t’i refuzuar lejen u mor me arsyetimin se prania e tij nuk do të ishte në përputhje me interesin publik.
Për gati gjysmë dekade, West ka shkaktuar zemërim për një sërë komentesh antisemite, raciste dhe pro-naziste.
West tha më herët të martën se “do të ishte mirënjohës” të takohej me anëtarë të komunitetit hebre në MB pas polemikave për përfshirjen e tij në festival.
Në një deklaratë, reperi, i njohur tashmë si Ye, tha se kishte “ndjekur diskutimin rreth Wireless” dhe ofroi të takonte përfaqësues të komunitetit personalisht “për të dëgjuar”.
Në një deklaratë, Board of Deputies of British Jews tha se ishte “i gatshëm” të takohej me reperin, me kusht që ai të tërhiqej nga performancat e planifikuara në Wireless.
Anullohet festivali
Festivali Wireless ishte planifikuar të mbahej në Londër për tre ditë, duke filluar nga 10 korriku, me reperin amerikan Kanye West si artist kryesor në të tre netët.
Vendimi për ta ftuar atë u vu nën kritikë për shkak të deklaratave antisemite që ai ka bërë në të kaluarën, përfshirë titullimin e një kënge “Heil Hitler” dhe deklarimin e vetes si nazist.
Organizatorët e festivalit e mbrojtën këtë vendim, duke theksuar se West – i cili tani performon me emrin Ye – ka kërkuar falje për deklaratat e tij të mëparshme, për të cilat ai tha se ishin pasojë e problemeve të shëndetit mendor.
Megjithatë, më herët sot, qeveria konfirmoi se do t’i refuzojë West-it vizën për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar. Në dritën e këtij vendimi, organizatorët e festivalit thanë se ai do të anulohet dhe se mbajtësit e biletave do të rimbursohen.