BOTA, 3 Mars 2024, 13:28

“Qëndroi 200 vite neutrale” – Suedia i jep fund mosangazhimit me hyrjen në NATO

“Qëndroi 200 vite neutrale” – Suedia i jep fund

Lufta e fundit e Suedisë përfundoi në vitin 1814 ndaj Norvegjisë, fuqia dikur ndërluftuese nuk do të merrte më armët, sipas AP.

Për dy shekujt e ardhshëm, Suedia përqafoi një politikë asnjanëse duke refuzuar të merrte anën në luftëra ose të bashkohej me ndonjë aleancë ushtarake. Ishte një qëndrim që ruante paqen dhe kontribuoi që vendi të bëhej një shtet i begatë i mirëqenies dhe superfuqi humanitare.

Kësaj epoke jashtëzakonisht të gjatë mosangazhimi i erdhi fundi me anëtarësimin e Suedisë në NATO. Formalitetet ceremoniale priten së shpejti, pas 18 muajsh vonesa ndërkohë që Turqia dhe Hungaria e shtynë ratifikimin dhe kërkuan lëshime nga anëtarët e tjerë të aleancës.

“Suedia tani po lë pas nesh 200 vjet neutralitet dhe mosangazhim”, tha kryeministri suedez Ulf Kristersson pasi Parlamenti i Hungarisë dha miratimin duke kapërcyer pengesën e fundit.

”Është një hap i madh. Duhet ta marrim seriozisht. Por, është gjithashtu një hap shumë i natyrshëm që ne po bëjmë”, shtoi ai.

Suedia, ashtu si Finlanda, e kishte përjashtuar prej kohësh mundësinë e anëtarësimit në NATO.

Kjo ndryshoi praktikisht brenda natës kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt 2022. Sulmi ngjalli frikë në të gjithë Evropën për ambiciet e ringjallura perandorake të Moskës.

“Është rruga e duhur për ne”, tha Jacob Frederiksen, një pilot 24-vjeçar, i cili si shumë suedezë ka përqafuar anëtarësimin në NATO.

“Unë mendoj se në këtë epokë të re, është më mirë të jesh pjesë e një aleance sesa të jesh i pavarur dhe neutral”, theksoi ai.

”Pushtimi pati një efekt tronditës në jetën politike suedeze”, tha Henrik Ekengren Oscarsson, një shkencëtar politik në Universitetin e Goteborgut.

Ai analizoi të dhënat e sondazheve që tregojnë se mbështetja për anëtarësimin në NATO u rrit nga 35% në 2021 në 64% pas pushtimit.

“Ishte ndryshimi më i madh dhe më i shpejtë në opinion që është matur deri më tani në historinë politike suedeze”, shkroi Ekengren Oscarsson.

Megjithatë, ankthet e reja vijnë me të qenit pjesë e një aleance mes tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit.

Në vitet e fundit, Suedia ka investuar më shumë në ushtrinë e saj dhe ka krijuar kontakte me NATO-n, duke marrë pjesë në trajnime me aleancën./Scan Tv