BOTA, 22 Maj 2026, 17:19

Provincë e pasur me naftë, banorët e Albertës do votojnë në referendumin nëse duan të mbeten pjesë e Kanadasë ose jo

Provincë e pasur me naftë, banorët e Albertës do

Provinca e Albertës në Kanada do të zhvillojë brenda këtij viti një referendum për të vendosur nëse duhet të mbetet pjesë e Kanadasë apo të hapë rrugën për një proces që mund të çojë në pavarësi.

Njoftimi u bë nga kryeministrja e provincës, Danielle Smith, pas një nisme qytetare që kërkonte shkëputjen dhe që mblodhi mbi 300,000 firma. Ndërkohë, një nismë tjetër në favor të qëndrimit në Kanada mblodhi mbi 400,000 firma.

Referendumi është planifikuar për 19 tetor.

Pyetja që do t’u drejtohet qytetarëve do të jetë nëse Alberta duhet të mbetet provincë e Kanadasë, apo nëse qeveria e saj duhet të nisë procedurat ligjore për një referendum të detyrueshëm mbi shkëputjen nga vendi.

Alberta është një provincë e pasur me naftë, ku prej vitesh ekziston ndjenja se qeveria qendrore në Otava nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme interesave të saj.

Megjithatë, sondazhet tregojnë se shumica e banorëve pritet të votojnë kundër pavarësisë. Këtë qëndrim mban edhe kryeministrja e provincës.

Çështja konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha për unitetin e Kanadasë në dekadat e fundit. Në vend ekziston edhe një tjetër lëvizje separatiste në provincën e Kebekut, ku në të kaluarën janë mbajtur dy referendume për pavarësi.