TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Arabia Saudite pritet të nënshkruajë marrëveshje me SHBA-në me vlerë rreth 30 miliardë dollarë, bëri të ditur CEO i gjigantit shtetëror të naftës Aramco, Amin Nasser. Deklarata u transmetua nga televizioni shtetëror gjatë një forumi investimesh SHBA–Arabia Saudite që po zhvillohet në Uashington.
Vizita e bin Salman në SHBA! Kongresi më i favorshëm ndaj tij
Ligjvënës amerikanë pritet të takohen sot në Kapitol me princin e kurorës Mohammed bin Salman, në ditën e dytë të vizitës së tij në SHBA. Vizita ka për qëllim të theksojë lidhjet ekonomike gjithnjë e më të forta mes dy vendeve, pavarësisht kritikave për shkeljet e të drejtave të njeriut nga Rijadi.
Presidenti Donald Trump i rezervoi bin Salmanit një pritje të veçantë në Shtëpinë e Bardhë dhe e mbrojti atë për çështjen e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, një krim që sipas agjencive amerikane të inteligjencës është aprovuar nga vetë princi i kurorës.
Në darkën zyrtare të organizuar në Shtëpinë e Bardhë morën pjesë figura të rëndësishme republikane, mes tyre kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, kreu i Komisionit të Jashtëm të Senatit Jim Risch dhe kreu i Komisionit të Jashtëm të Dhomës, Brian Mast.
Rikthimi në skenën politike amerikane
Pas vrasjes së Khashoggit, bin Salman u konsiderua person i padëshiruar në Uashington, por sipas Reuters, rikthimi i tij është zyrtarisht i konfirmuar këtë javë. Madje, edhe senatorë që dikur e kritikonin ashpër, si Marco Rubio që e quajti “gangster” në vitin 2019, u panë të ulur pranë tij në takimin e djeshëm në Zyrën Ovale.
Kontrasti është i madh krahasuar me qëndrimet e viteve të para të administratës Trump, kur Kongresi dënonte rolin e Arabisë Saudite në luftën e Jemenit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Në vitin 2019, Kongresi miratoi madje një rezolutë kundër mbështetjes ushtarake për koalicionin saudit në Jemen, por vetoja e Trump-it nuk u përmbys dot.
Pritje më e ftohtë në Kapitol
Edhe pse shumë qëndrime të ashpra janë zbehur me kalimin e viteve, pritja e bin Salmanit në Kapitol pritet të jetë më e rezervuar se ajo për udhëheqës të tjerë botërorë. Ai mbërriti paraditen e sotme, ku Mike Johnson pritet të organizojë një pritje ku do të marrin pjesë edhe disa demokratë dhe republikanë.
Takimi nuk ishte paralajmëruar më herët, ndërsa as Johnson dhe as lideri republikan i Senatit John Thune nuk parashikojnë të flasin për media, një praktikë e zakonshme në vizitat e liderëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë, ka ende kundërshtime nga disa ligjvënës. Senatori demokrat Tim Kaine kritikoi ashpër Trump pas takimit me bin Salmanin, duke theksuar se presidenti duhet të kërkojë llogaridhënie për vrasjen e Khashoggit dhe të mbrojë interesin kombëtar amerikan, në vend të, siç tha ai, “përfitimeve personale financiare”.