BOTA, 6 Prill 2026, 12:11

Presidenti i KiE, Antonio Kosta: Vetëm diplomacia mund të zgjidhë rrënjët e konfliktit në Iran dhe Lindjen e Mesme

Presidenti i KiE, Antonio Kosta: Vetëm diplomacia mund të zgjidhë

Pas pesë javësh lufte në Lindjen e Mesme, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi se përshkallëzimi i mëtejshëm nuk mund të sjellë paqe, duke nënvizuar nevojën për një zgjidhje të menjëhershme përmes diplomacisë.

Në një reagim publik, Costa deklaroi se vetëm një zgjidhje diplomatike mund të adresojë shkaqet e thella të konfliktit, ndërsa dënoi sulmet ndaj infrastrukturës civile, veçanërisht asaj energjetike.

“Çdo goditje ndaj infrastrukturës civile, sidomos ndaj objekteve energjetike, është e paligjshme dhe e papranueshme. Kjo vlen si për luftën e Rusisë në Ukrainë, ashtu edhe për çdo konflikt tjetër”, u shpreh ai.

Ai theksoi se popullsia civile iraniane është viktima kryesore e situatës aktuale dhe paralajmëroi se një përshkallëzim i mëtejshëm ushtarak do të rëndonte edhe më shumë mbi qytetarët.

Costa bëri të ditur se gjatë një bisede telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj vendeve të rajonit.

Gjithashtu, ai theksoi domosdoshmërinë e rikthimit të plotë të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për ekonominë globale.

“Përshkallëzimi nuk do të çojë në armëpushim dhe paqe. Vetëm negociatat mund ta arrijnë këtë, veçanërisht përmes përpjekjeve të vazhdueshme të partnerëve rajonalë”, shkroi Costa në platformën X.