BOTA, 31 Janar 2026, 09:56

"Preken spitalet, sektori i ushqimit dhe shërbime të tjera"/ Presidentja e Meksikës paralajmëron krizë humanitare nëse SHBA vendos tarifa shtesë

"Preken spitalet, sektori i ushqimit dhe shërbime të tjera"/

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, paralajmëroi se tarifat doganore shtesë që qeveria e SHBA ka njoftuar se mund t’i vendosë çdo vendi që ndihmon Kubën të furnizohet me naftë, mund të shkaktojnë një krizë humanitare të madhe në ishullin me qeveri komuniste.

“Vendosja e tarifave doganore ndaj vendeve që furnizojnë Kubën me naftë mund të shkaktojë një krizë humanitare në shkallë të gjerë, duke goditur direkt spitalet, sektorin e ushqimit dhe shërbime të tjera absolutisht të domosdoshme për popullin kuban,” deklaroi presidentja Sheinbaum, e zgjedhur me një parti të majtë nacionaliste, gjatë një konference për media.

Deklarata e saj erdhi një ditë pas nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv nga Donald Trump, i cili parashikon se Uashingtoni “mund të” vendosë tarifa shtesë, me përmasa të pacaktuara, ndaj çdo vendi që shet naftë në Havana. Urdhri nuk specifikon se cilat vende janë të përfshira, por Meksika është ndër shtetet që furnizon Kubën me naftë.

Presidenti kuban, Miguel Díaz-Canel, akuzoi të enjten Donald Trump se synon të shkaktojë “mbytje” për ishullin me 9.6 milion banorë. Sheinbaum tha gjithashtu se ka kërkuar nga ministri i Jashtëm i qeverisë së saj të kontaktojë sa më shpejt me Departamentin e Shtetit për të “mësuar më saktësisht shtrirjen e urdhrit” të Trump.

Presidentja meksikane theksoi se gjithmonë shpreh “solidaritet” ndaj popullit kuban, por paralajmëroi se nuk do të injorojë pasojat që urdhri amerikan mund të ketë për vendin e saj.

“Duhet të kuptojmë shtrirjen, sepse nuk duam të rrezikojmë vendin tonë me tarifa doganore. Duam të dimë shtrirjen dhe gjithmonë i japim përparësi kanaleve diplomatike,” insistoi ajo.

Edhe pse furnizimet me naftë nga Meksika janë të vogla për vendin, nuk kalojnë 1% të eksporteve totale meksikane të naftës, ato janë shumë të rëndësishme për Kubën, sidomos pas ndërprerjes së furnizimeve nga Venezuela pas kapjes së presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane më 3 janar.

Meksika ka qenë përballë kërcënimeve nga presidenti Trump për tarifat që kur republikanët u kthyen në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, ndërsa po afrohet ripërpunimi i marrëveshjes tregtare trepalëshe me Kanada-n dhe SHBA-në. Kuba po përjeton prej disa vitesh një nga krizat ekonomike më të rënda që nga fitore e revolucionit të FIDEL CASTRO-s në 1959.