BOTA, 14 Nëntor 2025, 17:36

Policia franceze evakuon stacionin Montparnasse në Paris, neutralizohet një burrë me thikë, plagoset edhe një udhëtar

Policia franceze evakuon stacionin Montparnasse në Paris, neutralizohet

Stacioni hekurudhor Montparnasse në Paris u evakuua të premten pasdite, pas një operacioni policor që përfundoi me neutralizimin e një burri të armatosur me thikë.

Sipas informacioneve të para, burri kishte shfaqur sjellje të çuditshme brenda një vagoni treni. Për këtë arsye, makinisti nuk e nisi trenin dhe hapi dyert për të shmangur rrezikun. Në atë moment, burri nxori thikën, u vetëdëmtua dhe nisi të kërcënonte, më pas doli nga vagoni, ku u qëllua nga policia. Dëshmitarët thonë se u dëgjuan dy të shtëna, një plumb e goditi burrin, ndërsa plumbi tjetër plagosi një pasagjer.

Sipas actuparis.fr, burri ishte i njohur për autoritetet, përfshirë raste të dhunës në familje.

Një dëshmitar okular, i cili ndodhej në të njëjtin vagon, tregoi:
“Policët ishin rreshtuar në platformën e stacionit kur ne, pasagjerët e parë që zbritëm nga treni që vinte nga Rennes, dolëm jashtë. I dëgjova oficerët t’i kërkonin burrit të ndalej, dhe menjëherë pas kësaj u dëgjuan dy të shtëna.”

Hetimet për incidentin vazhdojnë.