BOTA, 26 Dhjetor 2025, 10:22

Plani i paqes/ Zelensky njofton takimin me Trump: Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri

Plani i paqes/ Zelensky njofton takimin me Trump: Shumë gjëra mund

Një tjetër zhvillim i fortë në prapaskenën diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë erdhi pas një postimi të presidentit Volodimir Zelenski në orët e para të së premtes. Në rrjetin social X, Zelenski bëri të ditur se është rënë dakord për një takim me ish-presidentin amerikan Donald Trump në të ardhmen e afërt, duke theksuar se “shumë vendime mund të merren para Vitit të Ri”.

Sipas Zelenskit, ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov e ka informuar për kontaktet e fundit me palën amerikane, ndërsa ai nënvizoi se Ukraina nuk po humb asnjë ditë në përpjekjet diplomatike. “Ramë dakord për një takim në nivelin më të lartë – me presidentin Trump në të ardhmen e afërt. Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, shkroi ai, duke e mbyllur mesazhin me sloganin “Lavdi Ukrainës”.

Ky njoftim vjen vetëm pak ditë pasi Zelenski zbuloi një plan të ri me 20 pika, për të cilin pretendohet se është diskutuar mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe pas kontakteve të tij me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Plani parashikon ngrirjen e vijës së frontit në pozicionet aktuale, pa ofruar një zgjidhje të menjëhershme për territoret e pushtuara nga Rusia, që përbëjnë rreth 19% të territorit ukrainas.

Ndryshe nga versionet e mëparshme, dokumenti i ri nuk përfshin disa nga kërkesat kryesore të Moskës, si tërheqja e forcave ukrainase nga zonat e Donbasit që ende kontrollohen nga Kievi apo angazhimin ligjor të Ukrainës për të mos iu bashkuar NATO-s. Për këtë arsye, vlerësohet se Rusia ka pak gjasa ta pranojë propozimin. I pyetur për këtë çështje, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se Moska “po shqyrton qëndrimin e saj”, duke shmangur komentet mbi detajet.