BOTA, 20 Maj 2026, 22:22

Pistorius: Gjermania ende e paqartë për shkurtimin e trupave amerikane

Pistorius: Gjermania ende e paqartë për shkurtimin e trupave

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi sot se Berlini ende nuk ka marrë plane përfundimtare dhe detyruese nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Gjermania.

Pas një takimi të komisionit parlamentar të mbrojtjes në Berlin, Pistorius tha se “ende nuk ka një konfirmim vërtet të besueshëm” për këtë çështje.

Sipas tij, informacioni që Gjermania ka marrë deri tani tregon se numri i brigadave amerikane të vendosura në Evropë mund të reduktohet me një formacion.

“Mbetet për t’u parë në çfarë mase do të preken trupat e dislokuara në Gjermani”, shtoi ai.

Një ditë më parë, gjenerali amerikan dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO, Alexus Grynkewich, konfirmoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës  nuk do të vendosin për momentin armë me rreze të gjatë veprimi në Gjermani.

Sipas Grynkewich, dislokimi i planifikuar më parë i një batalioni të quajtur “Long Range Fires Battalion” nuk do të realizohet. Ai, i cili njëkohësisht komandon forcat amerikane në Evropë, tha gjithashtu se tërheqja e rreth 5 000 ushtarëve amerikanë nga Evropa, e njoftuar nga Trump, do të përfshijë kryesisht kthimin në SHBA të një Brigade Combat Team.

I pyetur për ndryshime të tjera të mundshme në praninë ushtarake amerikane në Europë, Grynkewich u shpreh se nuk pret njoftime të reja në afatin e shkurtër.

Sipas të dhënave të “Defense Manpower Data Center,” në Gjermani ndodhen më shumë se 37 000 ushtarë aktivë amerikanë.