TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Përshkallëzohet shtypja e përgjakshme e protestave në Iran, me numrin e viktimave që ka arritur në 466, sipas organizatës për të drejtat e njeriut HRANA, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Protestat nisën më 28 dhjetor, fillimisht si reagim ndaj rritjes së fortë të çmimeve, por më pas u shndërruan në një sfidë të hapur ndaj udhëheqjes së vendit që nga Revolucioni Islamik.
Autoritetet iraniane akuzojnë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se po nxisin trazirat. Shefi i policisë iraniane, Ahmad-Reza Radan, deklaroi se forcat e sigurisë kanë intensifikuar operacionet kundër asaj që ai i cilësoi si “elementë destabilizues”.
Në të njëjtën kohë, tensionet rajonale po rriten. Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se Teherani do të sulmojë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme nëse SHBA ndërmerr e para goditje ndaj objektivave iraniane. Paralajmërimi vjen mes raportimeve se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton opsione për sulme të mundshme ndaj instalimeve ushtarake iraniane.
Ghalibaf kërcënoi gjithashtu se Irani mund të synojë rrugët detare në rajon, si dhe Izraelin. SHBA kanë baza ajrore dhe detare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein dhe Katar. Kujtohet se Irani kishte goditur bazën ajrore Al Udeid në Katar në qershor, pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar disa herë për ndërhyrje në rast të shtypjes së dhunshme të protestave në Iran, ndërsa “Wall Street Journal” raporton se zyrtarë amerikanë po analizojnë skenarë për goditje ndaj objektivave ushtarake iraniane, pa folur ende për një operacion të menjëhershëm ushtarak.